Numri dy i prokurorisë serbe për krimet e luftës, Bruno Vekariç ka deklaruar se ish-komandanti i UÇK-së, Fatmir Limaj, do të arrestohet në rast se udhëton jashtë territorit të Kosovës.
Vekariç ka deklaruar se ndaj Limajt është lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar për krime lufte ndaj popullsisë serbe gjatë viteve 1998-99.
“Kjo do të thotë se policia e çdo vendi ka për detyrë ta arrestojë Limajn sapo ai të lërë territorin e Kosovës”, ka deklaruar Vekariç për të përditshmen serbe Blic.
Prokurori ka nënvizuar se prokuroria për krimet e luftës ka zhvilluar hetimet e saj mbi çështjen “Kleçka” dhe ka marrë në pyetje dëshmitarë të shumtë, të cilët sipas tij konfirmojnë fajësinë e Limajt.
Deklarata e Vekariç vjen dy ditë pasi gjykata e Prishtinës rrëzoi deklaratat e bëra në ditarin e Agim Zogajt, i njohur ndryshe si Dëshmitari “X”, mbi të cilat ishte ngritur akuza ndaj Limaj dhe disa bashkëluftarëve të tij.
Policia serbe arreston ish-anëtarin e UÇK-së
Ndërkohë, policia serbe ka arrestuar një person që ajo pretendon se ka qenë anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe ky i akuzuar për krime kundër popullsisë serbe në vitin 1999.
Edhe në këtë rast lajmin e ka bërë të ditur prokurori Vekariç, i cili ka saktësuar se personi i identifikuar me emrin Burim Taljaku është arrestuar në pikën kufitare të Merdares.
Zyrtari serb ka saktësuar se Taljaku është dërguar në burgun e Pozarevacit, qytet në perëndim të Beogradit dhe ka shtuar se ai akuzohet për krime lufte të kryera në Prizren.
Ndërkohë, dtën e djeshme u ekstradua në Serbi nga Zvicra një tjetër ish-anëtar i UÇK-së, Shemsi Nuhiu, i akuzuar për krime analoge gjatë konfliktit në Kosovë.
Kuçi: Urdhër-arrestet, fushatë elektorale
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi i ka cilësuar urdhër-arrestet e serbisë ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së si një tjetër skandal të qeverisë serbe, që ajo po e shfrytëzon për fushatë elektorale.
Në një prononcim për “Kosovapress”, Kuçi ka deklaruar se këto veprime të Beogradit janë me të vërtetë skandaloze dhe do të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Besoj se këto veprime të qeverisë serbe janë skandaloze, jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera me drejtues të shquar të luftës për çlirimin e Kosovës”, ka deklaruar Kuçi.
Megjithatë, ai ka shprehur bindjen e tij se Interpoli dhe policitë e vendeve të tjera nuk do të bien pre e këtyre urdhër-arresteve të motivuara politikisht për qëllime elektorale.
Top Channel