Pas nisjes së aksionit të forcave speciale britanike dhe nigeriane,
pengu britanik dhe ai italian janë çuar nga pengmarrësit në tualetin e
kompleksit ku mbaheshin dhe janë qëlluar për vdekje.
Lajmin e ka bërë të ditur për “Times” një grua e identifikuar me emrin Hauwa, bashkëshortja e një rojeje që humbi jetën gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Sipas medias britanike, gruaja në fjalë mund të jetë personi i fundit, përveç anëtarëve të bandës, që i ka parë gjallë dy pengjet, Chris McManus dhe Franco Lamolinara.
Ndërkohë, ministrat e Jashtëm të Italisë dhe Britanisë janë përpjekur të sheshojnë polemikat e lindura lidhur me mosinformimin e Romës për operacionin e shpëtimit në Nigeri.
Giulio Terzi dhe William Hague kanë lëshuar një deklaratë në të cilën thuhet se Italia dhe Britania do të vazhdojnë ta luftojnë së bashku terrorizmin.
Gjithësesi, zoti Terzi i kërkoi homologut më shumë qartësi për operacionin, teksa u takuan mbrëmjen e së premtes në Danimarkë, takim pas të cilit shpërndanë dhe deklaratën.
Në të thuhet se zoti Hague i ka bërë të qartë bashkëbiseduesit se mundësitë për të siguruar lirimin e pengjeve ishin “të kufizuara”, se jetët e tyre ishin gjithnjë e më shumë në rrezik dhe se mundën ta informonin Italinë vetëm kur operacioni ishte në zhvillim e sipër.
“Zoti Terzi shprehu keqardhjen dhe zhgënjimin e tij për rezultatin tragjik të operacionit dhe dy ministrat ranë dakord për nevojën e shkëmbimit të informacioneve, me qëllim rindërtimin dhe qartësimin e ngjarjes”, thotë më tej deklarata.
Ditën e djeshme, politikanët italianë shprehën zemërimin e tyre me kryeministrin britanik David Cameron, pasi ky i fundit nuk u konsultua me shtetin italian para se të miratonte zhvillimin e operacionit.
Top Channel