Autoritetet maqedonase kanë nisur një fushatë diplomatike për të kërkuar zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë sipas modelit të marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit.

Propozimi ka ardhur nga vetë presidenti Gjorgje Ivanov, i cili ka deklaruar se marrëveshja Prishtinë-Beograd dhe ajo mes Sllovenisë dhe Kroacisë mund të jenë një model i pranueshëm për zgjidhjen e përplasjes me Greqinë.

“Ne nuk po shohim vullnet për dialog nga fqinji ynë jugor, që të bëjë atë që bënë Sllovenia dhe Kroacia dhe që tani e bënë edhe Serbia me Kosovën”, ka deklaruar Ivanov.

Duke folur nga Viena, kreu i shtetit maqedonas ka ritheksuar se çështjet dypalëshe nuk duhet të bëhen pengesë për proçeset integruese të vendit të tij.

Ai ka nënvizuar se vendimi i GJND-së në favor të Shkupit për çështjen e emrit duhet të bëjë që bashkësia ndërkombëtare t’i japë një trajtim favorizues Maqedonisë.

Ivanov ka shtuar se marrëveshjet mes vendeve të rajonit do të ndihmonin Maqedoninë që të merrte rekomandimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE dhe integrimin në NATO.

Muajin e kaluar ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic kërkoi në Shkup zgjidhje të shpejtë për problemin e emrit, pasi siç u shpreh ai, kjo çështje është shumë e rëndësishme për stabilitetin e gjithë rajonit.

Megjithatë, pas takimeve me kreun shtetëror, Nimic tha se në Shkup nuk kishte sjellë asnjë propozim të ri për tejkalimin e këtij problemi 20-vjeçar që po mban të bllokuar proçeset euroatlantike të Maqedonisë.

Top Channel