Ndërmjetësi i OKB-së në kontestin greko-maqedonas Metju Nimic, kërkoi në Shkup zgjidhje të shpejtë për problemin e emrit të Maqedonisë, pasi sic u shpreh ai kjo cështje është shumë e rëndësishme për stabilitetin e gjithë rajonit.

Megjithatë, pas takimeve me kreun shtetëror, Nimic tha se në Shkup nuk ka sjellë asnjë propozim të ri për tejkalimin e këtij problemi 20 vjecar që po mban të bllokuar proceset euroatlantike të Maqedonisë.

“I njoftova autoritetet maqedonase mbi qëndrimet e Bashkësisë ndërkombëtare dhe OKB-së për zgjidhjen e kësaj cështje sa më parë që është e mundur, sepse është dicka që prek  rajonin dhe sigurinë botërore, prek Europën e Amerikën, ndaj sa më parë të zgjidhet, aq më mirë është për të gjithë”, tha Metju Nimic, ndërmjetësi i OKB-së për cështjen e emrit të Maqedonisë.

I pyetur nëse do të ketë propozim të ri për zgjidhjen e cështjes së emrit para samitit të NATO-s në Chicago që mbahet në maj, ndërmjetësi Nimic tha se procesi i bisedimeve nuk është i lidhur me afate kohore.

“Propozime bëj vetëm kur e vlerësoj të nevojshme. Për fat të keq procesi po zgjat shumë. Si përfaqësues i OKB-së nuk bëj propozime kur nuk vlerësoj se është momenti i duhur. Vlerësimin tim do ta jap pas bisedimeve në Athinë”, shtoi Metju Nimic, ndërmjetësi i OKB-së për cështjen e emrit të Maqedonisë.

Ndërmjetësit Nimic po ashtu qartësoi se bisedimet zhvillohen vetëm për emrin e shtetit dhe jo edhe për identitetin e popullit maqedonas. Nga Shkupi Nimic do të udhëtojë për në Athinë ku do të takohet autoritetet greke.

Top Channel