Ndeshjet parapërgatitore për Euro 2012 vunë përballë njëra-tjetrës një sërë ekipesh të nivelit të lartë të futbollit Europian.
Ndërsa Kampionia e Botës, Spanja fitoi me lehtësi 5-0 ndaj Venezuelës, nuk ndodhi kështu për Gjermaninë, Italinë dhe Anglinë.
Spanjollët shënuan me Iniesta, Silva dhe spikati tregolëshi i Soldados, i cili humbi edhe një 11-metërsh.
Anglezët ende nën “shok” nga dorëheqja e trajnerit Kapello humbën në “Wembli” përballë Hollandës në një festival të vërtetë golash. Teksa pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, ishte Arjen Robben që prish ekulibrat me një gjuatje nga jashtë zone. Goli i dytë mban firmën e Huntelaar që në aksionin që nisi ai vetë do të dyfishonte me kokë. Anglezët zgjohen në fund kur brenda pak minutave në të 85-ën dhe minutën e parë shtesë shënojnë me Kahill dhe barazojnë me Young. Por kur ende nuk ishte shuar jehona e golit të barazimit është sërish ylli i Bajern Munih, Roben që i jep fitoren “tulipanëve” me një gjuajtje perfekte.
Gjermania nuk kaloi dot Francën që nga ana e saj po tregon një formë gjithnjë e në rritje. Giroud dhe Malouda çojnë në avantazh të dyfishtë “gjelat”, ndërsa goli i Kakaut në minutat shtesë vlen vetëm sa për statistikë.
Italia në një ndeshte të dobët nga ana e saj, humbi ndaj SHBA-ve me rezultatin minimal 0-1. Është Clint Dempsey që i jep fitoren amerikanëve në minutën e 55-të.
Ndeshjet u zhvilluan në kuadër të përgatitjeve për Europianin Poloni-Ukrainë 2012 që do të zhvillohet në muajin qershor.
Top Channel