Rusi, protestë pro dhe anti-Putin

04/02/2012 00:00

Disa dhjetëra mijëra persona po marshojnë në rrugët e Moskës në një protestë ndaj rikthimit në pushtet të kryeministrit Vladimir Putin.

Ky është tubimi i tretë që nga zgjedhjet parlamentare të dhjetorit, të cilat u shoqëruan me dyshime për manipulime të mëdha.

Por mbështetësit e zotit Putin, që muajin e ardhshëm do kandidojë në zgjedhjet presidenciale, po zhvillojnë ndërkohë që miting të tyrin në një lokalitet tjetër.

Pjesëmarrësit në këto manifestime kanë sfiduar temperaturat që kanë arritur deri në -19 gradë Celsius.

Organizatorët e të dyja palëve, ata me moton “Për Zgjedhje të Ndershme” dhe mbështetësit e kryeministrit, shpresojnë se temperaturat e acarta nuk do t’i pengojnë marshimet.

“Kryesorja është që njerëzit të mos marrin pneumoni. Të rrish tre orë në të ftohtë është dicka serioze”, deklaroi politikani liberal Boris Nemtsov, organizator i protestës së opozitës.

Sheshi Kaluzhskaja në Moskë është mbushur me protestues që mbajnë në duar tullumbace të bardha, ngjyra e zgjedhur prej tyre për të shënuar fillimin e muajit mars.

Rreth 50 mijë persona u mblodhën në Moskë për protestën e parë pas zgjedhjeve të 4 dhjetorit, të cilat u fituan nga partia e Putin, Rusia e Bashkuar.

Por pavarësisht deklaratave të qeverisë që mohonin manipulimin e zgjedhjeve, protestat u përhapën në të gjithë vendin.

Tre ditë më parë, opozita dhe grupe të të drejtave të njeriut sfiduan kryeministrin rus duke ngritur një banderolë me sloganin “Putin, ik”, e cila u hoq më vonë nga policia.

Ndërsa më herët gjatë muajit, policia ruse arrestoi në Sheshin e Kuq të Moskës një grup “punk” femëror që kishte kënduar një këngë në formë proteste kundër tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA