Një këngë me përmbajtje të tepruar nacionaliste dhe fjalë cnjerëzore kundër shqiptarëve po qarkullon në forumet e ndryshme të internetit në Maqedoni.
Lajmin e bën të ditur agjencia “INA”, sipas të cilës kënga në fjalë është transmetuar edhe në Youtube, ku klikimet e saj kanë arritur një shifër rekord.
Gjithashtu, bën të ditur burimi, kënga në fjalë është zgjedhur nga tifozët e klubit të Teteksit, në Tetovë, si himni i tyre.
Agjencia e lajmeve ka përkthyer disa strofa të këngës së frikshme anti-shqiptare, në të cilën sipas saj bëhet thirrje për shfarrosjen e tyre.
“Kacakë, leckamanë, bisha të zeza me dy kokë. Po na nxijnë Maqedoninë. As në Tokë e as në qiell nuk ka vend për shqiptarët. Dënoji o Zot!. Rrufeja t’i vrasë, asnjë rrënjë e tyre të mos ngelet”, thuhet në një strofë të këngës.
Lajmi për këtë këngë vjen në një moment kur në Maqedoni janë rritur tensionet ndëretnike mes etnisë sllave dhe asaj shqiptare, pas karnavaleve në Strugë.
Në këtë eveniment u tallën dhe u ofenduan shqiptarët, ndërkohë që fyerjeve nuk u shpëtoi as Greqia, ndaj së cilës u mbajt “ceremonia e varrimit”.
Tensionet mes shqiptarëve myslimanë dhe maqedonasve të krishterë u rritën në ditët që pasuan, me maqedonasit që kaluan edhe në veprime vandale.
Kështu, në muret e një xhamie në qytetin e Manastirit, mbrëmjen e së martës persona të panjohur shkruan grafitin “Vdekje për shqiptarët”. Në të njejtën natë iu vu zjarri një kishe në Recicë të Tetovës, por nga djegia e tërësishme, kishën e shpëtuan banorët shqiptarë të fshatit.
Top Channel