Nëse deri më sot nuk ishte thënë qartë sa duhet, Sekretari iPërgjithshëm i NATO-s, deklaroi sërish se dialogu “teknik” i Brukselit mund të përdorete dhe për negociata politike për veriun e Kosovës.

Në përfundim të ministerialit dy ditor të mbrojtjes në Bruksel, Rasmussen garantoi se nuk do të ketë pakësim trupash të KFORit për sa kohë situata mbetet e brishtë.

“Është e qartë se situata aktuale në veriun e Kosovës nuk mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet mjeteve ushtarake. Pra ne inkurajojmë, si Beogradin ashtu edhe Prishtinën, që të angazhohen në tavolinën e negociatave për të gjetur një zgjidhje afatgjatë, pasi askush nuk do të përfitojë nga kthimet e tensioneve të së kaluarës”, tha Anders Fogh Rasmussen, Sekretar i Përgjithshëm i NATO.

I pyetur nëse e ka fjalën për ndonjë dialog paralel me atë që po zhvillohet në Bruksel, i cili nga qeveria e Kosovës quhet vetem teknik dhe jo për negociata politike për veriun e Kosovës, Rasmussen insistoi:

“Unë nuk po propozoj një proces paralel apo të ri politik. Unë e mbështes fort dialogun që po udhëheq BE. Dhe ne nuk duhet të befasohemi që dialogje të tilla nisin shpesh me çështje tepër teknike, të rëndësishme për tu zgjidhur. Por gradualisht, diskutime të tilla teknike do të zhvillohen drejt një dialogu më politik. Nga përvoja ime, një gjë e tillë është krejt e natyrshme.”

Më herët Sekretari i përgjithshëm kishte bërë një bilanc të vitit 2011, të cilin e cilësoi si sfidues për misionin e Aleancës në Kosovë. Gjithsesi, NATO vlerëson se KFOR ka bërë punën, në momentet kritike, dhe se do të vazhdojë mandatin e ruatjes së sigurisë dhe të rivendosjes të lëvizjes së lirë.

Në ditën e dytë të takimit në selinë e NATO-s në Bruksel, ministrat e mbrojtjes të vendeve aleate diskutuan me partnerët edhe përveprimet e misionit në Afganistan.

Për misionin ISAF, Sekretari i Përgjithshëm përsëriti se periudha e tranzicionit, e cila synon kalimin gradual të udhëheqjes së veprimeve luftarake nga trupat e NATO-s tek trupat vendase afgane të sigurisë, përfundon për të gjitha vendet pjesmarrëse në fund të vitit 2014.

Pergatiti: Arta Tozaj

Top Channel