Vazhdojnë përplasjet ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Ka qenë deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, që nga foltorja e Kuvendit, gjatë së enjtes, u është kundërpërgjigjur ultimatumit të dhënë nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, për Albin Kurtin që deri më 8 shkurt të sqarojë lidhjet e tij me serbët.
Deputeti Selimi theksoi se Qeveria e Kosovës dhe SHIK-u kanë nxjerrë sërish agjentë në skenë për të bërë shantazhe, ndërsa qartësoi se nuk do t’i përgjigjen as qeverisë dhe as SHIK-ut.
”Ne nuk flasim me gjuhë spiunësh, as agjentësh, madje nuk flasim fare me ta. Kemi një mesazh për qeverinë dhe SHIK-un që qëndrojnë në pushtet me vota të vjedhura. Mjaft me këto shantazhe, e presione ndaj opinionit. Nëse mendoni se mund të na bëni presione e shantazhe, me ultimatume, e keni gabim”, tha Selimi.
Në anën tjetër, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha se kjo parti i mbështet pyetjet e deputetit Bekim Haxhiu, që më parë ka deklaruar se ka qenë zyrtar i SHIK-ut, ndërsa pret Kurtin që të përgjigjet.
”Zoti Haxhiu ka qenë shumë i qartë në shqetësimet që ai ka ngritur dhe ne e përkrahim e do të presim datën tetë. Ndërsa, ato që ka ngritur sot Zoti Selimi, janë disa hipoteza që mund të merren edhe si shantazhe”, deklaroi Grabovci.
Për më tepër, Grabovci ka thënë se të gjithë e dijnë se kush ka qenë SHIK-u, që sipas tij ka qenë një organizatë që ka qenë pjesë e institucioneve të ligjshme të Kosovës dhe që ka punuar prej një date të caktuar në një datë të caktuar, duke përfunduar misionin.
Ndërsa, vetë deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, nuk ka dashur të flasë, duke thënë se po pret ende liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin që të përgjigjet.
Top Channel