Katër persona, mes të cilëve një oficer policie, janë arrestuar nga detektivët e Scotland Yard në lidhje me marrje rryshfetesh nga gazetarët.
Policia londineze deklaroi se personat në fjalë, të moshave nga 29 në 56 vjec, u arrestuan në Londër dhe Eseks më herët gjatë ditës së shtunë.
Një 29-vjecar, oficer i Policisë Metropolitane, u arrestua në ambjentet e punës, në rajonin e policisë të kryeqytetit. Ndërkohë, zyrat e kompanisë “News International” po kontrollohen nga agjentët e policisë.
Arrestimet u kryen në kuadër të operacionit “Elveden”, në bazë të informacioneve që i ishin dhe policisë nga “News Corporation”.
Operacioni në fjalë është pjesë e operacionit të mëparshëm të koduar me emrin “Weeting”, që zbuloi skandalin e përgjimeve nga “News of the World”.
Një zëdhënës i policisë deklaroi të shtunën se arrestimet dhe kontrollet lidhen me pagesa që dyshohet se u janë bërë oficerëve dhe jo me kërkesa që u janë bërë gazetarëve për të treguar burimet e tyre për informacione të mbledhura në rrugë ligjore.
Dy persona, të moshave 48 dhe 56 vjec, u arrestuan në shtëpitë e tyre në Eseks, ndërsa një tjetër 48-vjecar në shtëpinë e tij në Londër, saktësoi zëdhënësi.
Shtëpitë e personave të arrestuar po kontrollohen. Të tre ata janë marrë në pyetje nën dyshimin e korrupsionit dhe ndër të tjera akuzohen edhe për sjellje negative, abuzim me anë të detyrës dhe komplotim.
Top Channel