Pepe: Messi-n e shkela padashje

19/01/2012 00:00

Mbrojtësi portugez i Real Madrid, Pepe, ka kërkuar falje për veprimin e tij antisportiv në ndeshjen ndaj Barcelonës në çerekfinalet e Kupës së Mbretit. Pepe shkeli dorën e Messi-t kur ky i fundit ishte në tokë, por deklaroi se veprimi i tij ishte pa qëllim.

“Kurrë nuk do të bëja diçka për të dëmtuar një koleg. E shkela padashje”, është shprehur Pepe për televizionin zyrtar të Real Madrid.

“Nëse Messi është ndjerë i ofenduar nga kjo gjë, unë i kërkoj falje. Unë luaj me mish e me shpirt në fushë, por kurrë nuk do dëmtoja me dashje një kolegun tim”, shtoi Pepe.

Ndeshja e “shëmtuar” e Pepe

Pepe është sërish në qendër të polemikave pas një tjetër ndeshjeje Real
Madrid-Barcelona. Mbrojtësi portugez i madrilenëve kësaj radhe luajti në
mesfushë si pjesë e ingranazhit mbrojtës që ndërtoi Mourinho për të
bllokuar Barcelonën në ndërtimin e sulmit. 

Edhe pse luftoi shumë nuk ishte dita e tij më e mirë po të marrim parasysh se tek goli i barazimit të Puyol, ishte Pepe ai që e la të lirë kapitenin e katalanasve të godiste topin me kokë pas një goditjeje këndi.

Por, nuk mbaron me kaq. Në pjesën e dytë Pepe në fillim simuloi duke u munduar që arbitri të ndëshkonte me karton të kuq Cesc Fabregas për një goditje me bërryl inekzistente e më pas realizoi gjestin më të shëmtuar të ndeshjes duke shkelur dorën e Messi-t kur ky i fundit ishte rrëzuar në tokë pas një faulli.

Arbitri i ndeshjes nuk e vuri re këtë veprim dhe Pepe vazhdoi ndeshjen deri sa Mourinho vendosi ta zëvendësonte.

Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, komentoi në lidhje me këtë episode të ndeshjes: “Unë nuk kam shokë ekipi si Pepe. Të gjithë e panë çfarë ndodhi. Ka edhe një arbitër që merr vendime dhe nëse dhe arbitri nuk e sheh, ka instanca të tjera që do të shohin imazhet edhe një herë dhe jam i sigurtë që do të marrin vendimin më të drejtë.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA