Drejtori i përgjithshëm i linjës që operonte kryqëzorin e mbytur në Itali pranoi se ishte ndryshimi “i paaprovuar dhe i paautorizuar” i kursit të anijes, ai që u bë shkak për mbytjen e saj.
Kapiteni i “Costa Concordia”, Francesco Schettino, është arrestuar nga autoritetet italiane me akuzën e vrasjes së pavullnetshme dhe braktisjes së anijes në vështirësi, por ai i mohon këto akuza.
”Kompania do të qëndrojë pranë kapitenit dhe do t’i ofrojmë të gjithë asistencën për të cilën ka nevojë, por fatkeqësisht, na duhet të pranojmë se për momentin, të gjitha faktet të bëjnë të besosh se mbytja është shkaktuar si pasojë e një gabimi njerëzor”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i “Costa Crociere”, Pier Luigi Foschi.
”Rruga ka qenë e pasaktë. Nxjerra nga kursi është një manovër e kryer vetëm prej kapitenit, e cila ka qenë një lëvizje e paaprovuar, e paautorizuar dhe e panjohur për linjën tonë”.
Schetino, i bërë kapiten në vitin 2006, pretendon se nuk ka patur asnjë problem me kursin që ai ndoqi, pasi hartat tregonin ujra mjaftueshëm të thellë për të lundruar dhe nuk shfaqnin prezencën e asnjë guri nënujor në zonë.
”Duhet të ishim në ujra të thellë”, tha ai në një televizion italian. “Ishim rreth 300 metra nga gurët dhe nuk duhet të kishim goditur asgjë. Harta detare nuk tregonte asnjë rrezik të tillë. Nuk është e vërtetë as që kam braktisur anijen. Në fakt, jam larguar i fundit, ashtu siç e donte detyra”.
Foschi, gjithashtu shtoi se anija ishte inspektuar në nëntor dhe nuk ishte konstatuar asnjë problem. Në një konferencë për shtyp emocionale, drejtori i përgjithshëm u përfshi nga lotët dhe kërkoi ndjesë për aksidentin tragjik.
Në total, gjashtë persona janë konfirmuar të vdekur dhe 15 janë zyrtarisht të humbur, pasi kryqëzori me më shumë se tre mijë turistë dhe mbi një mijë antarë të ekuipazhit, goditi disa gurë pranë bregut të ishullit Xhilio, mëngjesin e së shtunës.
Kërkimet për të mbijetuar të tjerë janë ndërprerë përkohësisht pasi anija ka lëvizur nga shtrati i saj, për shkak të dallgëve të forta, duke bërë që të frikësohet rrëshqitja e anijes së përmbysur pranë bregut, në ujra me thellësi deri 70 metra, çka do të zhyste krejtësisht kryqëzorin.
Top Channel