Gjykata: Ilir Meta, i pafajshëm!

16/01/2012 00:00

Me një vendim që përmbante vetëm tre paragrafë të shkurtër, Gjykata e Lartë i dha pafajësinë Ilir Metës, duke zbuluar ndoshta atë cka pritej, por lënë pa zbardhur vetëm argumentimin e tij.

Në seancën e 21-të të procesit gjyqësor të zhvilluar në Gjykatën e Lartë në ngarkim të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta, kolegji penal shpalli pafajësinë për të me 4 vota pro dhe një votë paralele. Edhe pse vendimi ishte caktuar të deklarohej në orën 13, kolegji penal hyri në sallë dy orë e gjysmë me vonesë.

Relatori i cështjes, Ardian Dvorani deklaroi se Ilir Meta, nën akuzë për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, shpallet i pafajshëm për akuzën që i adresohet, atë të korrupsionit aktiv, si të paprovuar. Sipas kërkesës së avokatëve, madje me të njëjtën fjali.

Më tej relatori Dvorani u shpreh se ai ka mendim paralel, cka do të thotë se edhe ai ka qenë pro pafajësisë së Metës, por të arsyetuar ndryshe.

Argumentimi i Dvoranit dhe ai i katër gjyqtarëve të tjerë do të argumentohet brenda 15 ditësh në publikimin e arsyetimit të vendimit të Gjykatës së Lartë. Kolegji penal pohoi se provat materiale, një usb, laptopi dhe ora filmuese i kalojnë si prova Prokurorisë së Përgjithshme.

Ndërkohë që shpenzimet proceduriale të procesit së bashku me 30 milionë lekët që shpenzuan tre ekspertët shqiptarë për ekspertizën e video-përgjimit Meta-Prifti i ngarkohen shtetit.

Në sallë, gjatë shpalljes së vendimit, ishin të pranishëm edhe vëzhgues të misioneve të huaja që asistojnë drejtësinë shqiptare, të ambasadës amerikane, si dhe ata nga OSBE.

Në një seancë të mëparshme Prokruroia e Përgjithshme i kërkoi gjykatës të deklaronte fajtor ish-zv.kryeministrin Ilir Meta dhe ta dënonte atë me 2 vjet burg, një milion lekë gjobë dhe t’i ngarkonte po ashtu shpenzimet proceduriale.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, gjatë shqyrtimit gjyqësor ka rezultuar e provuar se Ilir Meta kishte konsumuar veprën penale të korrupsionit aktiv dhe se kjo gjë, sipas prokurorisë, provohej jo vetëm nga video por edhe nga dëshmia e ish-ministrit Dritan Prifti, që ka thënë në gjykatë se kishte presione nga Meta për favore të ndryshme

Mes tyre ishte kërkesa për të favorizuar bashkimin e përkohshëm të shoqërisë “Vëllezërit Tola SHPK” për koncesionet e HEC-eve, si dhe për ankandin e 30 mijë tonëve naftë për “Halilaj Holding Group”.

Meta, KE: Përgjigjia në raport-progres

Komision Europian nuk ka autoritetin të komentojë për vendimet e veçanta të gjykatave në Shqipëri, por çështja “Meta-Prifti”, e ndjekur nga afër nga vetë shërbimet e Komisionit dhe ambasadave të ndryshme të huaja në vend, pritet të vlerësohet, në kuadrin e gjyqësorit, gjatë publikimit të raport-progresit të radhës.

Peter Stano, zëdhënës i Komisionerit Stefan Fule, tha se Komisioni Europian po mban shënim mbi këtë verdikt, por nuk mund të komentojë mbi raste të posacme.

“Komisioni Europian nuk ka mandat dhe nuk do të komentojë mbi raste të tilla të posacme, por unë mund t’ju them vetëm një gjë, se sundimi i ligjit është shumë i rëndësishëm, është një element shumë thelbësor për rrugën europiane të cdo vendi aspirues që dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian, e në rastin e Shqipërisë, sundimi i ligjit është një prej 12 prioriteteve kyce që u përcaktuan”, nënvizoi Stano.

“Ne do të vëzhgojmë performancën e Shqipërisë në secilin prioritet kyc më vete dhe më pas do t’a përmbledhim vlerësimin dhe do ta publikojmë atë në raportin e ardhshëm vjetor të progresit më vonë gjatë këtij viti”, vijoi zëdhënësi.

Reforma në gjyqësor u shpall prioriteti më parësor në Strategjinë e Zgjerimit të Komisionit Europian për këtë vit. Ajo përbën një prej 12 kritetereve për statusin kandidat për Shqipërinë.

Ina Rama priste drejtësi

Pak orë përpara se Gjykata e Lartë të shprehej për pafajësinë e Ilir Metës, prokurorja e përgjithshme Ina Rama deklaroi se priste drejtësi nga kolegji, por që duket se nuk iu plotësua pasdite.

Deklaratat e saj shefja e organit qendror të akuzës i bëri pas një takimi me prokurorin e Drejtorisë Rajonale të Antimafias së Leces, Cataldo Motta dhe me gjeneralin Franco Patroni, shef i Guardia di Finanza për rajonin e Pulias.

Nano: Sistemi nuk funksionon

Analisti i atashuar pranë Top Channel, Mustafa Nano, komentoi vendimin e Gjykatës së Lartë e cila shpalli të pafajshëm kreun e LSI-së, Ilir Meta për akuzën e korrupsionit aktiv, të ngritur nga prokuroria.

Zoti Nano la të kuptohej se vendimi i Gjykatës së Lartë ishte një vendim i “imponuar” dhe se fatkeqësisht, sistemi i drejtësisë është i kapur nga politika.

“Biseda e publikuar në Top Channe një vit më parë na la të njëjtën shije që u la të gjithë shqiptarëve, një bisedë pisllëku, një bisedë kur zv/kryeministri i thoshte ministrit se kryetarin e Gjykatës së Lartë e kishte në xhep.

Zoti Nano tha se Meta arriti të bindë gjykatën për pafajësinë e tij, por do t’i duhet shumë punë të bindë shqiptarët, pasi sipas tij, shqiptarët nuk janë të bindur për pafajësinë e tij.

“Sot ne gjykata na tha që nuk është verifikuar fajësia e Metës, por vetë Metës do t’i duhet të bindë shqiptarët në lidhje me pafajësinë e tij. E gjithë tabloja në distancë duket se kemi të bëjmë me një proces normal, gjyqi u zhvillua normalisht, procesi ishtë normal, por janë një mori gjërash që nuk kanë funksionuar, takimi mes Berishës edhe Metës ishte një shou që donte të ushtronte presion ndaj pushtetit gjyqësor dhe mendoj se ja arriti qëllimit. Gjatë gjyqit u injorua ekspertiza e një eksperti të huaj dhe u mor ekspertiza e 3 shqiptarëve.

Sipas analistit, u vërtetua se politikanët kanë vënë nën kontroll sistemin e drejtësisë, i cili ndodhet nën trysni dhe nuk funksionon.

“U tregua se politikanët nuk kanë vetëm imunitet, por edhe impunitet, kanë fuqi për t’i thënë sistemit të drejtësisë ‘stop, se unë e kam emrin, në këtë rast Ilir Meta’. Jam në një situatë kapitullimi, sistemi nuk funksionon, komandohet nga një klikë e caktuar njerëzish, cilido shqiptar tjetër në vendin e Ilir Metës do ishte dënuar. Kemi raste akoma më të rënda, 21 janari, ku janë vrarë 4 vetë në mënyrë spektakolare në bulevard”, tha analisti Nano.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA