Policia rumune u detyrua të përdorte gaz lotsjellës, ndërsa nëntë persona u raportuan të plagosur, gjatë përplasjeve të ndodhura në kryeqytetin e vendit, Bukuresht.
Disa dhjetëra mijëra protestues u grumbulluan deri në orët e para të mëngjesit të së dielës, për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj planit të kursimeve dhe shtrëngimeve financiare të qeverisë.
Protesta nisi si një manifestim i qetë kundër autoriteteve, pas shkarkimit të një funksionari shumë popullor të sektorit shëndetësor, por numri i protestuesve u shtua vazhdimisht, ndërsa lëvizja u shndërruar në një demonstrim kundër të një sërë reformash jopopullore.
Duke marrë shembullin e Bukureshtit, disa protesta lindën edhe në qytete të tjera të Rumanisë, ku numri i pjesëmarrësve u llogarit midis qindra dhe mijëra protestuesve.
Përplasjet në kryeqytet u regjistruan kur një numër protestuesish, në marshimin e tyre përpara sheshit të universitetit, goditën me gurë policinë. Nga ana e saj, ajo u përgjigj me gaz lotsjellës dhe zjarrëfikëse me ujë. 30 persona u arrestuan nga autoritetet.
Fillimisht, protesta nisi si një solidarizim ndaj Raed Arafatit, një mjeku palestinez të mbërritur në vend në vitet 1980, i cili është një prej figurave më të dashura midis rumunëve.
Megjithatë, ai u detyrua të jepte dorëheqjen gjatë javës nga roli i tij i Zvs/Ministrit të Shëndetësisë, pas një serie sulmesh publike ndaj tij, prej Presidentit Traian Basescu.
Si rrjedhojë, mijërat e protestuesve kërkuan dorëheqjen e tij dhe zgjedhje të parakohshme. Basescu është vendosur edhe më parë në qendër të kritikave, për shkak të deklaratave të tij diskriminuese ndaj romëve, të cilët kanë një komunitet prej disa milionë banorësh në vendin ballkanik me 22 milion banorë.
Top Channel