Presidenti iranian, Mahmoud Ahmadinejad do të udhëtojë në Amerikën Latine ku pritet të takohet me liderët e disa vendeve, përfshirë këtu aleatin e tij kryesor, presidentin venezuelian, Hugo Chavez.
Ahmadinejad do të lobojë për të siguruar mbështetje kundër sanksioneve shtesë që po kërcënon Perëndimi se do të ndërmarrë kundër Iranit për programin e tij bërthamor.
Por vizita vjen në një moment aspak të favorshëm për Ahmadinejad, pasi operacioni i marinës amerikane që liroi 13 peshkatarët iranianë nga duart e piratëve në Detin Arab duket se ka zbutur ndjeshëm tensionet e Teheranit me vendet perëndimore.
Misioni i shpëtimit të 13 iranianëve u ndërmor nga aeroplanmbajtësja amerikane, USS John C. Stennis, aeroplanmbajtësja të cilën një gjeneral iranian e kërcënoi të mos i afrohej më Ngushticës së Hormuzit.
Lirimi i 13 pengjeve “zbut klimën” Iran-SHBA
Shpëtimi i 13 peshkatarëve iranianë që ishin marrë peng nga piratët
somalezë në Detin e Arabisë, prej marinarëve amerikanë, duket se ka
ndikuar në zbutjen e toneve nga Teherani zyrtar.
Ministria e Jashtme iraniane ka përshëndetur operacionin e flotës amerikane duke e cilësuar atë si një gjest humanitar.
“Vlerësojmë operacionin e forcave amerikane dhe e përshëndesim atë për shpëtimin e 13 jetëve të peshkatarëve iranianë”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Ramin Mehmanparast.
Mediat iraniane dhe autoritetet zyrtare fillimisht hezituan të komentojnë lajmin e publikuar ditën e premte nga Pentagoni. Kjo, thanë autoritetet ishte për shkak se Teherani duhej të sigurohej për vërtetësinë e tij.
13 peshkatarët iranianë, mbaheshin peng në anijen e tyre nga një grup prej 15 piratësh, që dyshohet se janë somalezë, prej më shumë se 40 ditësh.
Rasti në fjalë, i ka shërbyer Pentagonit si një tjetër justifikim se pse luftëanijet amerikane duhet të patrullojnë në këto ujëra dhe në Gjirin Persik.
Luftëanije britanike drejt Gjirit Persik
Britania e Madhe planifikon dërgimin e një luftëanijeje në Gjirin Persik, kur marrëdhëniet e Perëndimit me Iranin janë në kulmin e tensionimit.
Por pavarësisht kësaj, Ministri britanik i mbrojtjes, tha se stacionimi i luftëanijes HMS Daring në Gjirin Persik ishte planifikuar me kohë dhe një ndërrim rutinë që nuk ka lidhje me tensionimin e situatës pas kërcënimeve iraniane për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
HMS Daring, tha ministri, do të zëvendësojë frigatën britanike e stacionuar prej kohësh në Gjirin Persik.
Top Channel