Presidenti serb Boris Tadic ka paralajmëruar se ka hartuar një plan me katër pika për Kosovën, për zbatimin e të cilit Serbia do të kërkojë mbështetjen e fuqive të mëdha që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.

“Elementi kryesor i këtij plani është një zgjidhje përmes të cilës Serbia nuk pranon pavarësinë e Kosovës, si dhe mbështetja e të gjitha shteteve me ndikim në arenën ndërkombëtare që janë kundër ndarjes së Kosovës”, ka deklaruar Tadic.

Në një intervistë për “Vcernje Novosti”, Tadic ka sqaruar se katër pikat janë: zgjidhja për veriun e Kosovës, mbrojtja e manastireve dhe trashëgimisë serbe, mbrojtja e pasurive të patundshme dhe siguria e serbëve që jetojnë në enklava.

Por plani në fjalë dhe politika e Beogradit zyrtar në tërësi është kritikuar nga kryetari i Partisë Progresiste Serbe, Vuk Drashkovic, sipas të cilit Tadic duhet të tërhiqet nga politika “edhe BE-në dhe Kosovën”.

“Nëse unë vij në pushtet do të ndryshojmë politikat aktuale. Politika “edhe BE-në edhe Kosovën” po e fut Serbinë në qorrsokakun “as BE-në, as Kosovën””, ka deklaruar Drashkovic.

Edhe më parë Drashkovic ka kritikuar politikën që po ndjek lidershipi serb, duke thënë se ai duhet të përqendrohet tek veriu me shumicë serbe i Kosovës, duke qenë se pjesën e banuar me shqiptarë nuk do ta qeverisë më kurrë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA