Irani vijon të sfidojë Perëndimin

02/01/2012 11:20

Irani ka kryer me sukses testin për lëshimin e një rakete balistike me rreze të gjatë veprimi gjatë stërvitjeve detare që po kryen në Gjirin Persik. Lajmin e ka bërë të ditur agjencia zyrtare “Irna”.

“Kemi kolauduar një raketë tokë-det, të quajtur “Qader”, një test që ka përfunduar me sukses pasi ka arritur të shkatërrojë objektiva të paracaktuar në Gjirin Persik”, citohet nga agjencia admirali Mahmud Mussavi.

Pak orë më parë Mussavi kishte njoftuar lëshimin e raketës në fjalë, si dhe të një rakete tjëtër po me rreze të gjatë veprimi të quajtur “Nour”.

Prej 10 ditësh Irani po kryen një stërvitje detare në Gjirin Persik, pasi kishte kërcënuar mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, ku kalojnë të gjitha ngarkesat e naftës, duke ngritur tensione me Perëndimin.

Këto ditë Teherani ka njoftuar dhe më pas përgënjeshtruar të paktën një herë testin për lëshimin e raketave të tij balistike me rreze të gjatë, në gjendje të godasin Izraelin dhe bazat amerikane.

Tashmë janë të përditshme të rejat mbi “mundjen e krahut” mes Iranit dhe Perëndimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por sot, pas njoftimit të Uashingtonit për sanksione të tjera ekonomike, Teherani ka “shërbyer në pjatë” jo vetëm fjalë, por edhe veprime.

Testimet e raketave nuk kanë pasoja të menjëhershme, por me siguri rëndojnë edhe më tej tensionet dhe shqetësimet që kanë përfshirë faktorin ndërkombëtar.

Dy janë sfidat për të cilat Republika Islamike ka njoftuar: lëshimi i një rakete me rreze të mesme veprimi pranë Ngushticës së Hormuzit; dhe përdorimi, për të ushqyer reaktorin e kërkimit bërthamor, të një kapsule uraniumi të pasuruar për herë të parë në Iran.

Por pavarësisht kërcënimit iranian, Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur për të gjitha anijet. Këtë e konfirmoi kalimi nëpërmjet saj i dy luftëanijeve amerikane, të cilat nuk hasën kurrfarë problemi. 

Top Channel