Borxhi, Shqipëria stabël

26/12/2011 19:45

Dy gjigandët ndërkombëtare të vlerësimit të borxhit, parlajmërojnë qeverinë shqiptare se nëse nuk do të mbajë nën kontroll financat publike mund të përkeqësojnë renditjen e Shqipërisë.

“Moody’s” dhe “Standard and Poors” në raportet e tyre të pak ditëve më parë, e lanë të pandryshuar vlerësimin e borxhit të Shqipërisë, respektivisht në B1 dhe B+ me parashikim stabël.

Por në raportet që i kanë dërguar Ministrisë së Financave, të dy kompanitë thonë se ky parashikim kërcënohet nëse qeveria nuk do të mbajë nën kontroll deficitin buxhetor për të mos lejuar rritjen e mëtejshme të borxhit.

Të dy kompanitë besojnë se qeveria shqiptare nuk do të arrijë të mbajë dot deficitin e parashikuar për këtë vit prej 3.5 për qind dhe sipas “Moody’s”, shifra mund të kërcejë deri në 4.6 për qind.

Megjithatë, “Standard and Poors” vlerëson se fakti që buxheti planifikon investime deri në 5 për qind të prodhimit kombëtar është një garanci, pasi kjo i lejon qeverisë që t’i shkurtojë ato për të mos rritur borxhin.

Vec rrezikut të rritjes së defiticit, faktorë të tjerë që mund të kërcënojnë vlerësimin e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të borxhit janë edhe moskryerja e reformave të planifikuara institucionale dhe ligjore, por edhe përkeqësimi i marrëdhnëive të ekonomisë me jashtë, ku rreziku më i madh është ai i rritjes së mëtejshme të deficitit korent.

Një tjetër faktor rreziku që duket se ka pak gjasa të ndodhë është ai që ka lidhje me ambiciet e Shqipërisë për t’u integruar në Bashkimin Europian.

Të dy kompanitë thonë se braktisja e kësaj ambicieje do të rezultonte në përkeqësim të menjehërëshëm të renditjes së Shqipërisë në tregjet e borxhit.

Të dy kompanitë presin që Shqipëria të përballet në 2012 me një vit të vështirë. “Moody’s” parashikon që rritja ekonomike këtë vit të jetë 2.5 për qind, ndërsa vitin tjetër ajo të ulet edhe më shumë në 1.5 për qind. Ndërsa si anë pozitive në raport vlerësohet zbutja e situatës politike dhe rikthimi i opozitës në Parlament.

Një apel për uljen e borxhit bëri disa ditë më parë Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili paralajmëroi Tiranën zyrtare që të ketë kujdes pasi e ardhmja është e mbushur me të papritura.

Ndërsa Banka Botërore i sugjeroi qeverisë të marrë në konsideratë ndërprerjen e investimeve të mëdha në infrastrukturë, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike dhe përkeqësimit të financave publike.

Deri nga mesi i muajit qeveria tregoi se nuk ka ndër mend ta ulë borxhin publik deri në fund të mandatit në vitin 2013, por përkundrazi, pa asnjë debat në publik, po i jep vetes më shumë hapsira për të marrë borxh të ri. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA