Gorbaçov: Putin të largohet menjëherë

24/12/2011 00:00

Vladimir Putin duhet të japë dorëheqjen e menjëhershme përballë kontestimeve të paprecedenta kundër regjimit të tij.

Kështu ka deklaruar ish-presidenti sovjetik Mikhail Gorbaçov për një radio moskovite.

“Do i këshilloja Vladimir Putinit të japë dorëheqjen menjëherë”, theksoi Gorbaçov.

“Bën mirë të largohet tani në mënyrë që të mbahet mend për gjërat e mira që ka bërë gjatë kohës kur ka pasur pushtetin”, shtoi 80-vjeçari, i cili tashmë ka shumë pak ndikim në Rusi.

Dhjetëra mijëra persona u mblodhën në qendër të Moskës për të
shprehur inatin e tyre ndaj mashtrimeve të bëra në zgjedhjet e fundit
parlamentare në Rusi. 

Ata miratuan rezolutën “për të mos i dhënë as edhe një votë të vetme kryeministrit Vladimir Putin” në zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen në mars të vitit të ardhshëm.

Lideri i protestës, Alexei Navalny i tha turmës që të duartrokiste fortë, për të treguar se rusët nuk do ta tolerojnë më korrupsionin.

“Unë shoh mjaftueshëm persona këtu për të marrë Kremlinin menjëherë, por ne jemi njerëz paqësorë dhe nuk do ta bëjmë këtë, ende jo”, deklaroi Navalny.

Protestuesit thonë se zgjedhjet parlamentare të katër dhjetorit, që u fituan nga partia e kryeministrit Putin, ishin të manipuluara, akuza këto që mohoen nga qeveria.

Një det me protestues ecën përgjatë Sakharov Avenue, disa milje larg Kremlinit, në temperatura të ulëta që shkonin nën zero.

Tubimet nisën në të gjithë Rusinë, me protestën e parë në qytetin e largët të Vladivostokut. Të paktën 28 mijë persona dolën në kryeqytet, sipas Ministrisë së Brendshme ruse, ndërkohë që organizatorët e protestës thonë se pjesëmarrësit ishin rreth 120 mijë.

Presidenti Dmitry Medvedev njoftoi reforma politike këtë javë, por për demonstruesit kjo nuk është e mjaftueshme. Ata po kërkojnë një përsëritje të zgjedhjeve.

Teksa njerëzit po sfidonin temperaturat polare, stafi i kryetarit të bashkisë së Moskës po shijonte një caj dhe ushqime të ngrohta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA