Tymoshenko, Apeli konfirmon dënimin

23/12/2011 18:00

Në Ukrainë Gjykata e Apelit ka konfirmuar dënimin e shkallës së parë për shtatë vjet burg për ish-kryeministren Yulia Tymoshenko, duke hedhur poshtë kërkesën e mbrojtjes.

“Gjykata ka lënë të pandryshuar vendimin e shkallës së parë”, ka deklaruar një zëdhënës i institucionit në përfundim të shqyrtimit të apelit të avokatëve.

Tymoshenko, heroinë e padiskutueshme e Revolucionit Portokalli, u dënua në tetor me shtatë vjet burg për abuzim me anë të pushtetit gjatë kohës që ishte kryeministre.

Ajo nënshkroi një marrëveshje për furnizimin me gaz me një kompani ruse, kontratë e cila u vlerësua si e shfavorshme për Ukrainën nga gjykata.

Nga ana e saj, Tymoshenko pretendon se vendimi dhe gjithë procesi gjyqësor ndaj saj janë një lojë politike e presidentit Viktor Yanukovich, arsye për të cilën i është drejtuar Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Rreth 10 ditë më parë, para se Gjykata e Apelit të niste shqyrtimin e kërkesës, Tymoshenko u vizitua në burg nga komisioneri evropian për Zgjerimin, Shtefan Fyle.

Bashkimi Evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u shprehën shumë të indinjuar me dënimin e parë të ish-kryeministres, duke ftohur qëndrimin e tyre ndaj presidentit Yanukovich.

Në fillim të muajit, deputetë të opozitës ukrainase protestuan duke pushtuar zonën e Parlamentit që është e rezervuar për anëtarët e qeverisë dhe më pas i drejtuan presidentit Yanukovich një parullë me shkrimin: “Mos e vrit Yulia-n”.

Ndërsa muajin e kaluar, autoritetet ukrainase e rikthyen Tymoshenko-n në burg, pasi analizat mjekësore treguan se në gjendjen e saj nuk kishte rrezik për jetën dhe se trajtimi për problemet mund të merrej edhe në kushtet e mbajtjes në qeli.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA