Turqia tërhoqi ambasadorin e saj nga Franca, vetëm disa orë pasi në Parlamentin Francez u miratua një projektligj që e shndërron në një kundravajtje penale mohimin e genocidit turk ndaj popullsisë armene.
Ambasadori Tahsin Burcuoglu do të largohet nga vendi të premten, ndërsa masat e mëtejshme të Turqisë ndaj Francës do të shpallet nga Kryeministri Erdogan, në një komunikatë të mëvonshme.
Senati Francez do të marrë në shqyrtim projektligjin konfliktual në fillim të vitit të ardhshëm dhe do të vendosë nëse do ta shndërrojë atë në ligj, në bazë të të cilit mohimi i genocidit dënohet deri një vit heqje lirie dhe 45 mijë euro gjobë.
Ministri i Jashtëm Francez, Alain Juppe, bëri thirrje që projektligji të hidhej poshtë, por deputetët votuan me një shumicë të qartë pro tij. Në Francë banon një komunitet i gjerë armen, i cili ka ushtruar presion për njohjen zyrtare të genocidit.
Ndërkohë, protesta të mëdha u organizuan përpara institucioneve nga shtetasit turq me banim në Francë, të cilët mbanin pankarta në të cilën kujtohej e shkuara e errët kolonialiste e vendit.
Francë, miratohet ligji për genocidin armen
Parlamenti Francez miratoi të enjten një ligj që e konsideron një kundravajtje penale mohimin e genocidit që turqit shkaktuan ndaj armenëve gjatë Luftës së Parë Botërore.
Turqia mohon që Perandoria Osmane të ketë kryer një genocid sistematik ndaj popullsisë armene në vitet 1915-18. Sipas të dhënave turke, 300 mijë armenë humbën jetën pasi u rreshtuan në radhët e ushtrisë ruse, një kundërshtare në luftë.
Sipas armenëve, 1,5 milion civilë u ekzekutuan, në atë që ishte një spastrim i mirëfilltë etnik, i dyti më i madh në histori, pas Holokaustit që nazistët realizuan ndaj popullsisë hebrehe.
Më parë gjatë javës, autoritetet turke u treguan jashtëzakonisht të ashpra ndaj Parisit zyrtar, duke e paralajmëruar për sanksione në rast se projektligji miratohej.
Në një letër drejtuar Presidentit Sarkozy, Kryeministri Erdogan shkruante se “nëse Franca me të vërtetë dëshiron të hetojë për rastet e genocidit të ndodhura në histori, le të hapë dosjen e luftës franko-algjeriane ose të gjejë se kush mbështeti shfarrosjen e 800 mijë personave në Ruanda”.
Top Channel