Pritet me nderime të larta në Prishtinë kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë Angela Merkel. Merkel mbërriti rreth orës 11:30 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, aty ku ishte rreshtuar garda ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Pritja e saj  u shoqërua nga himni shtetëror të Kosoëvs dhe të Gjermanisë. Ambientet e aeroportit shërbyen edhe si vendtakim i kancelares gjermane me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaci.

Tri nga cështjet kryesore për të cilat duket se kishin zënë vend në takim, janë padyshim situata në veri të Kosovës, dialogu Prishtinë-Beograd dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në të tre këto cështje Kosova ende ka punë për të bërë. Kancelarja gjermane sërish e ndërlidhi fatin e Serbisë drejt BE-së me përmbushjen e detyrimeve karshi Kosovës.

E nxitur nga pyetjet e gazetarëve, Merkel kërkoi nga Serbia t’i largojë strukturat e saj nga Kosova.

“Në bisedimet e drejtpërdrejta me Serbinë, ne e kemi bërë të qartë se cfarë dëshirojmë. Është e domosdoshme që të rregullohet qarkullimi i mallrave që tani nuk është e mundshme për shkak të barrikadave. Gjithashtu, hap pas hapi duhet të arrime aty, që të mos ketë më struktura paralelele. Besoj se me pavarësinë e Kosovës është bërë një hap i madh përpara dhe tani është me rëndësi që pala kosovare të veprojë në mënyrë të përgjegjshme dhe të mos i ndezë emocionet, por të ndikojë në zgjidhjen paqësore të të gjitha konflikteve”, tha kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Kancelarja gjermane kërkoi nga Kosova që të japë kontributin e saj në këtë drejtim, por pa sqaruar detaje të tjera. Një cështje tjetër në të cilën zonja Merkel u ndal më gjatë ishte lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ajo kërkoi nga qeveria e Kosovës që në këtë fushë të bashkëpunojë me Eulex-in.

“Mendoj se tema e korrupsionit mbetet në rend të ditës dhe për këtë kemi folur. Është me rëndësi bashkëpunimi me Eulex-in dhe është me rëndësi që kjo të mos jetë vetëm në letër. Kryeministri më ka premtuar se kjo po bëhet”, tha Merkel.

Nga ana e tij kryeministri Thaci fillimisht falenderoi Gjermaninë për kontributin  në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Ai e siguroi kancelaren gjermane se Kosova do të jap kontributin e vet në përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët, ndërsa theksoi se historia nuk duhet ta mbajë peng të ardhmen.

Kjo ishte vizita e parë në Kosovë e Angela Merkel si shefe e qeverisë gjermane.Posterat me portretin e saj dhe mbishkrimin “Faleminderit Gjermani” zunë vend nëpër rrugët kryesore. Por pavarësisht kësaj, gruaja më e fuqishme në Europë, nuk shkeli në ambientet e institucioneve të Republikës së Kosovës. Një cështje kjo e cila në mungesë të një sqarimi zyrtar, mbeti në dorë të interpretimeve nga jashtë.

Këshilltarë të kryeministrit Thaci në një deklaratë për Top Channel, hodhën poshtë interpretimet se takimi Merkel-Thaci ishte i rastësishëm. Sipas Edi Sejdiut gjithcka ka qenë e planifikuar nga protokollet shtetërore, në kuadër të menaxhimit sa më të mirë të kohës që kancelarja gjermane kishte në dispozicion për Kosovën.
Angela Merkel vizitoi trupat gjermane të KFOR-it dhe zhvilloi takim me komandantin, Erhard Drews.

Rruga nëpër të cilën kaloi eskorta e saj ishte mbushur me qytetarë të zakonshëm të cilët ndonëse nuk patën rastin ta takonin i uruan mirëseardhjen kancelares gjermane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA