Bashkimi Europian ka hedhur poshtë deklaratat e politikanëve serbë, të cilët pas dështimit me kandidaturën, u justifikuan se, “BE iu kishte kërkuar të njohin pavarësisë e Kosovës”.

Shpjegimet i dha në Bruksel zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Sigurinë në BE.

“Mund t’ju them se njohja e Kosovës nuk ishte kushti për marrjen e statusit kandidat nga Serbia. Mendoj se konkluzionet e samitit europian ishin shumë të qarta”, deklaroi Maja Koçijançiç, zëdhënëse e Catherine Ashton.

Ajo çfarë BE ka kërkuar nga Serbia është zbatimi i disa marrëveshjeve të arritura në dialogun me Kosovën dhe normalizimi i mardhënieve me të.

Nëse deri në samitin e muajit mars nuk do të jenë dhënë dëshmi konkrete në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, Serbia rrezikon sërish mosmarrjen e statusit kandidat.

Teza se Brukseli kishte kërkuar njohjen e Kosovës u tha nga presidenti Boris Tadic dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Dacic, të cilët thanë se një gjë të tillë e kishin refuzuar.

Por deklarata u hodh poshtë më herët edhe nga raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Jelko Kacin, i cili tha se askush nuk ka kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ndaj deklaratës reagoi edhe kryetari i Partisë Liberal-Demokratike të Serbisë, Cedomir Jovanovic, i cili deklaroi se qytetarëve serbë nuk duhet t’u paraqiten alibi për dështimin me politikat e integrimit.

“Qytetarëve nuk duhet t’u ofrohen alibi për dështimin e politikave të integrimit evropian. Nuk duhen fabrikuar teza për kushte të reja të vendosura nga Evropa, që gjoja politikanët serbë i kanë refuzuar si patriotë”, tha Jovanovic.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA