Berisha, stabilizohet gjendja shëndetësore

12/12/2011 00:00

Gjatë fjalës në 21 vjetorin e Partisë Demokratike, një situatë e papritur është krijuar pasi kryeministri Berisha është ndjerë jo mirë, duke pësuar një gjendje dobësie, e cila ka sjellë edhe ndërhyrjen e menjëhershme të shoqëruesve të tij për ta larguar nga foltorja.

Shefi i qeverisë ka lënë në mes fjalën e tij në përshëndetje të 21 vjetorit të krijimit të Partisë Demokartike, duke u shoqëruar në një nga ambjentet e tjera të Pallatit të Kongreseve ku po zhvillohej aktiviteti.

Një situatë që ka krijuar tension në sallë, e ku ndërprerja e muzikës ka bërë që të ndjehet edhe më shumë heshtja.

Menjëherë pranë Pallatit të Kongreseve ka mbërritur edhe trupa mjekësore e cila ka ndërhyrë për të kontrolluar gjendjen shëndetësore të kryeministrit.

Më pas ai është larguar nga Pallati i Kongreseve, ndërsa kryetarja e Kuvendit zonja Jozefina Topalli ka folur pak minuta më vonë për të qetësuar të pranishmit duke u thënë se nuk ka asgjë shqetësuese dhe se gjendja e zotit Berisha është thjesht si pasojë e një virusi stinor.

Reagon Kryeministria

Ndërkohë rreth 1 orë e 30 minuta më pas Kryeministria përmes një deklarate për shtyp ka sqaruar se kryeministri ka patur një gjendje lodhjeje, lipotimie, debolese e lidhur me një virozë për të cilën Kreu i Qeverisë është mjekuar ditët e fundit.

Konsulta e zhvilluar menjëherë pas kolapsit dhe gjendjes së të fiktit, sipas Kryeministrisë ka dhënë gjendje mjekësore të stabilizuar dhe parametra normale.

Kryeministri Berisha për më tepër sic shkruhet më tej në deklaraten zyrtare të Këshillit të Ministrave, ka konsumuar edhe një kafe me miq para se të largohej për në shtëpinë e tij.

Por burime pranë Top Channel kanë bërë të ditur se Kreu i Qeverisë, Berisha ka qënë edhe në Spitalin Amerikan në kryeqytet, ku ka kryer vizitat e rastit, sipas të cilave gjendja e tij paraqitet shqetësuese. 

Rama: Uroj të bëhet mirë

Ndërkohë, kryetari i PS, Edi Rama ka reaguar duke shprehur keqardhjen e tij për gjendjen shëndetësore të kryeministrit.

Përmes adresës së tij në rrjetin social Twitter, Rama ka shprehur urimin e tij që shqetësimi i kryeministrit të mos jetë dicka serioze.

“Sapo dëgjova për sëkëlldinë e kryeministrit Berisha në festë. Uroj të mos jetë asgjë serioze dhe që kryeministri të jetë mirë”, është shprehur Rama.

Top Channel