Grekëve u pëlqen kryeministri i ri Lukas Papadhimos, por ata janë mosbesues ndaj qeverisë së unitetit kombëtar, të formuar nga politikanë të PASOK-ut, Demokracisë së Re dhe Laos-it.
Kështu thotë një sondazh, sipas të cilit në dhjetor popullariteti i Papadhimos është ngjitur në 60 për qind, nga 55 për qind që ishte muajin e kaluar.
Por nga ana tjetër, 80 për qind e të intervistuarve janë shprehur “të pakënaqur” nga ekzekutivi i përbërë nga 49 anëtarë, të themeluar nga vetë Papadhimos.
Ish-guvernator i Bankës së Greqisë, Papadhimos u zgjodh kryeministër me konsensus të gjerë partiak në datën 11 nëntor, pas dorëheqjes së koalicionti të udhëhequr nga socialisti Jorgos Papandreu.
Greqia vazhdon të jetë e përfshirë nga stuhija e krizës së borxhit, që sa vjen e po prek vende të tjera anëtare të eurozonës, të cilat po shkojnë drejt “humnerës”.
Disa ditë më parë Parlamenti grek miratoi buxhetin e vitit 2012, në të cilin përfshihen masa të ashpra kursimi, që kanë si qëllim përmirësimin e deficitit jashtëzakonisht të lartë buxhetor.
Nënpresidenti amerikan Joe Biden, gjatë një vizite të kryer më herët gjatë muajit në Athinë, premtoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Greqinë.
Ndërkohë që në fund të muajit të kaluar, Athina zyrtare mori frymë e lehtësuar pasi samiti i ministrave të Financave të 17 vendeve anëtare të zonës së Euros miratoi lëvrimin e këstit të gjashtë të ndihmës.
Top Channel