Presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy ka deklaruar të premten se Brukseli pret më shumë garanci nga Serbia për angazhimin e saj në bisedimet me Kosovën.

Duke folur pas një takimi me presidentin serb Boris Tadic, Van Rompuy ka theksuar se angazhimi në dialogun dypalësh është një kusht i rëndësishëm për afrimin e Serbisë me BE-në.

“Kam inkurajuar presidentin serb që të bëjë hapa të mëtejshëm për të garantuar vendet anëtare të BE-së se Serbia është seriozisht e angazhuar në dialogun me Kosovën dhe se po zbaton marrëveshjet e arritura deri tani”, ka thënë Van Rompuy.

Sipas “REL”, liderët e bllokut prej 27 anëtarësh është parashikuar të mblidhen më 9 dhjetor për të vendosur nëse do t’i japin ose jo Serbisë statusin e vendit kandidat.

Prishtina dhe Beogradi nisën bisedimet teknike në muajin mars dhe arritën disa marrëveshje, para se ato të ndërpriteshin pas operacionit të 25 korrikut në veri të Kosovës.

Që atëherë pala serbe ka refuzuar të zbatojë marrëveshjet e arritura për zgjidhjen e problemeve të përditshme të qytetarëve.


Procesi i bisedimeve rifilloi të hënën
ku palët arritën një marrëveshje për njohjen reciproke të diplomave, por nuk u tregua asnjë angazhim për zbatimin e pakteve të mëparshme.

Pak ditë më parë, vetë raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Jelko Kacin deklaroi se marrja e statusit të kandidatit nuk është e sigurtë për shkak të qëndrimit të Beogradit ndaj dialogut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA