Italia paguan interesa rekord

25/11/2011 14:45

Italia pagoi të premten interesa rekord në huamarrjen e dhjetë miliardë eurove me një afat maturimi 6-mujor.

Letrat e emetuara nga Roma u blenë në tregjet ndërkombëtare me interesin 6,5%, ndërsa vetëm tre javë më parë, në 26 tetor, Italia kishte mundur të merrte të njëjtën lloj huaje për vetëm 3,5% interes.

Gjithashtu gjatë nëntorit, interesi për huatë dy-vjeçare kapi vlerën 7,8%, ndërsa në tetor ajo ishte prej 4,6%. Shifra të tilla tregojnë qartë për një zhvlerësim të thellë të besimit të investitorëve tek Italia, një vend që përballet me një borxh sa 120% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

”E vetmja gjë pozitive në këtë operacion financiar ishte që Italia arriti të merrte paratë për të cilat kishte nevojë, por një tarifë e tillë interesi është absolutisht skandaloze”, deklaroi Padhraic Garvey, një analist i tregut.

Bursa e Milanos përjetoi një rënie prej 1% pasi përfundimit të marrëveshjes, duke shkuar në rënie 1,9% në total gjatë së premtes. Tronditja, edhe pse më e vogël, u ndie edhe në bursat e Londrës, Parisit dhe Frankfurtit, të tronditura me nga minus 0,5% respektivisht.

Top Channel