Bundesliga, arbitri tenton vetëvrasjen

20/11/2011 11:25

Ndeshja e javës së 13 të Bundesligës, ajo mes Koln dhe Mainz, që duhej të luhej të shtunën, është anulluar 40 minuta para fillimit sepse arbitri që duhej të gjykonte këtë takim ka tentuar të vrasë veten disa orë para nisjes së saj.

Babak Rafati është gjetur me damarët e prerë në dhomën e tij të hotelit dhe është dërguar menjëherë në një spital të qytetit të Këlnit.

41-vjeçari Rafati, drejtor banke në Hanover, është një arbitër gjerman me origjinë iraniane shumë i vlerësuar në Bundesligë. Që nga viti 2005 ka arbitruar 84 takime në divizionin e parë gjerman dhe 2 takime ndërkombëtare. Debutimi i tij në Bundesligë ka qenë pikërisht në një ndeshje Koln-Mainz.

Nuk dihen arsyet e tentativës së vetëvrasjes. Presidenti i arbitrave në Gjermani ka theksuar se nuk është në dijeni nëse Rafati ka probleme me depresionin.

Një zëdhënës i policisë së Këlnit ka bërë të ditur se Babak Rafati është jashtë rrezikut për jetën, pa dhënë detaje të tjera.

 

Top Channel