Klinton: Siria drejt luftës civile

18/11/2011 21:35

Siria mund të shkojë drejt një lufte civile. Kjo është deklarata e Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillari Klinton.

Në një intervistë për televizionin amerikan, NBC, Klinton tha se opozita në Siri është shumë e vendosur, e mirë armatosur dhe e mirë financuar, por mbi të gjitha që gëzon mbështetjen popullore.

Nëse Asad, shtoi Klinton, nuk dëgjon thirrjet e popullit të tij për t’u larguar dhe për t’i hapur rrugë reformave demokratike, situata mund të përkeqësohet e vendi të shkojë drejt një lufte civile, të ngjashme me Libinë.

Ndërkohë, e premtja është përgjakur sërish. Të paktën 19 protestues, që të gjithë civilë, raportohen të vdekur nga Observatori sirian i të drejtave të njeriut në përleshjet e dhunshme që kanë përfshirë tashmë thuajse të gjithë vendin.

Megjithëse Asad vazhdon të izolohet vazhdimisht nga komuniteti ndërkombëtar, ai nuk ka ndryshuar qendrim, duke deklaruar herë pas here se ushtria dhe forcat e sigurisë janë duke mbrojtur vendin nga bandat e armatosura.

Ditën e shtunë përfundon afati i vendosur nga Liga Arabe për presidentin sirian për zbatimin e planit të rëndë dakort në marrëveshjen e dy javëve më parë.

Nëse sërish situata nuk do të ndryshojë, vendet arabe premtuan sanksione ndaj Sirisë, megjithëse nuk kanë përcaktuar qartë se për cfarë sanksionesh bëhet fjalë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA