Kuvendi miratoi me konsensus një ligj, i cili ndalon bankat në Shqipëri,
të transferojnë pasuri apo kapitale tek bankat e tyre mëma jashtë
vendit, kur ato ndodhen në vështirësi financiare.
“Të gjithë e dimë, rrisku vjen nga jashtë dhe nuk ka përse ne të na dëmtohet pjesë e tregut bankar, vetëm se mund të kenë origjinën e kapitalit, nga një vend që ka probleme në një moment të caktuar”, tha ministri i Financave Ridvan Bode.
Edhe pse mori vote unanime, miratimi i ligjit u parapri nga debate te forta ne Kuvend.
“Parlamenti ka nevojë më shumë informacion lidhur me të drejtat që i jepen bordit të Bankës së Shqipëri, për të marrë pronësinë e Bankës, për të vendosur një administrator, pra pak a shumë besoj, që zoti Bode e kujton periudhën e piramidave, kur këtë rol që doni t’ia vini Bankës së Shqipërisë, ndaj bankave private drejt falimentimit, deri dje e kishte ‘Deloitte & Touche’ me firmat piramidale”, tha deputeti socialist Pandeli Majko.
Bode nga ana e tij tha: “Nuk është e mjaftueshme të përmendni kohën e piramidave, zoti ish-kryeministër, për të thënë që sistemi ynë bankar ka probleme. Jo! Lexoni raportin e fundit të Bankës Botërore tre ditë të shkuara, që thotë se sistemi bankar në Shqipëri është më i qëndrueshmi në rajon. Ky sistem ka më pak probleme nga të gjitha bankat e vendeve të tjera të rajonit”.
Ekspertët e opozitës shprehen që në fillim votën pro ligjit, por thanë se ai është i vonuar dhe jo i plotë, në kohën kur rreziqet për sistemin bankar janë rritur.
“18.3 përqind e kredive të këqija është problem serioz dhe është afër kalimit në moratorium kredish për shumicën e bankave. Cilësia e kolateralit është e pasigurtë dhe ligji nuk merret dot me paparashikueshmërinë e rriskut”, thotë deputeti socialist, Arben Ahmetaj.
Bode sërish u shpreh: “Sistemi që kemi ne është i besueshëm. Qytetarët besojnë edhe pse ju bëni thirrje ditë e natë për dobësim të sistemit dhe për largim të depozitave”.
Ligji, parashikon për herë të parë ndërtimin e bankave ura, që në thelb mundësojnë ndarjen e bankave me probleme duke transferuar asetet dhe kapitalet e mira, në një bankë të përkohshme, ndërsa ato me probleme cohen në likujdim.
“Në momente kur një bankë e caktuar dëshmon dobësi në kryerjen e aktivitetit të saj normal ndërhyhet nga Banka e Shqipërisë, sigurohen financime ure, ndërtohet një sistem i bankës urë, sic ndodhi në SHBA, sic po ndodh në vendet e Bashkimit Evropian”, tha Bode.
Top Channel