Të enjten në seancë plenare, deputetët dhanë një shembull të qartë se sa
i shpejtë mund të jetë procesi legjislativ, kur diskutimi i
projektligjeve është mbyllur me konsensus që në komisione.
Me refrenin tashmë të njohur “kundra s’ka, abstenim s’ka, miratohet”, deputetët kaluan projektligjet për ‘sigurinë ushqimore’, ‘sistemin bankar’, ‘kodin hekurudhor’ dhe ‘kodin detar’ që kërkonin shumicë të cilësuar, si edhe ngritjen e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Kodi detar pati megjithatë një votë kundër, atë të Gramoz Rucit. Zoti Ruci votoi pro në parim, por votoi kundër në votimin final, atë në tërësi. Vetë zoti Ruci mori fjalën për të shpjeguar votën e tij.
“Në një kohë që opozita dhe pozita ulen, firmosin një marrëveshje, shprehin dakordësinë e tyre, mazhoranca jo më larg se dje në qarkun e Fierit, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, në kundërshtim të plotë më ligjin për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor, në kundërshtim të plotë me dy vendimesh gjykatash në të njëjtin qark ndodh një akt banditesk, duke uzurpuar Këshillin e Qarkut të Fierit. I them kryeministrit se opozita shqiptare do t’i qëndrojë marrëveshjes së saj, por nëse mazhoranca nuk i ndal veprimet e saj, jo vetëm që klima politike nuk do të përmirësohet, por do të përkeqësohet dhe për këtë faji do të jetë i juaji”, tha Ruci.
Mirëkuptim që u përshëndet edhe nga kreu i prezencës së OSBE-së Eugen Wollfarth, në një deklaratë për shtyp. Ky është një fillim inkurajues, thotë ambsadori Wollfarth, i cili uron që procesi i debateve dhe i vendimmarrjes në Komisionin e Reformës Zgjedhore do të jetë i hapur dhe gjithëpërfshirës.
Edhe ambasadori i Bashkimit Evropian Ettore Sequi përshëndeti konsensusin e arritur për miratimin e Komisionit ad-hoc për Reformën Zgjedhore dhe miratimin e dy kodeve që kërkonin shumicën të cilësuar të deputetëve në Parlament.
“Rruga drejt Evropës është një rrugë që ndërtohet mbi bashkëpunimin dhe konsensusi është një rrugë që bazohet në dialog”, tha Sequi. Duke folur për mediat jashtë sallës së Kuvendit shqiptar, ambasadori theksoi se integrimi europian ka qenë dhe mbetet një synim kombëtar.
Ngritja e Komisionit Parlamentar mbi Reformën Zgjedhore dhe votimi i dy ligjeve me tre të pestat, u mirëprit nga Komisioneri për Zgjerim, Shtefan Fyle.
Në një komunikatë për shtyp, Fyle mirëpriti edhe vendimin e të hënës së Konferencës së Kryetarëve për ngritjen e grupit parlamentar të punës për reformën e rregullores së Kuvendit dhe për miratimin e kalendarit për rishikimin dhe miratimin e ligjeve me tre të pestat.
Top Channel