Liga Arabe, ultimatum Asadit 

16/11/2011 00:00

Liga Arabe i jep tre ditë kohë Sirisë të ndalë gjakderdhjen në vend ose do të përballen me sanksione.

Liga Arabe dhe Turqia apeluan për masa urgjente në mbrojtje të civilëve sirianë. Pas takimit në Marok u shprehën  kundër cdo ndërhyrje të huaj në Siri.  

Deklarata e tyre, erdhi pak orë pas sulmit të një bazë ushtarake në afërsi të Damaskut, të ndërmarre nga ushtarët dezertorë.

“Është e nevojshme të ndalohet gjakderdhja dhe të shpëtohen qytetarët sirianë nga aktet e reja të dhunës apo vrasjet”, shkruhet në deklarate. Si dhe kërkon marrjen e masave urgjente për të garantuar mbrojtjen e civileve”.

Megjithëse Turqia nuk është anëtare e Ligës Arabe, ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutollu mori pjesë në takimin që u zhvillua në Rabat, kryeqytetin e Marokut.

Turqia, një vend fqinj me Sirinë, ka shtuar kritikat kundër shtypjes së dhunshme të protestave.  Kreu i diplomacisë turke tha se nëse Siria do të  vazhdojë këtë rrugë, atëherë do të përballet me izolim.

Një tjetër shenjë që dëshmon pikërisht këtë është vendimi i Francës për të tërhequr ambasadorin e saj nga Siria.

Megjithëse bisedimet u zhvilluan në Rabat, përkrahës të presidentit Bashar Al Asad sulmuan ambasadën e Marokut në Damask, dhe grisën flamurin. Televizioni Al Arabia, raportoi për sulme edhe në ambasadat e Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Më herët, aktivistët rrëfyen se dezertorë të ushtrisë siriane vunë në shënjestër një bazë në afërsi të Damaskut. Ndërtesa e Shërbimeve Sekrete të Forcave Ajrore, në Harasta është dëmtuar dhe flitet për gjashtë ushtarë të vrarë.

Këshilli Kombëtar i Sirisë, koalicioni i grupeve opozitare me bazë në Turqi, shpjegoi se sulmi u krye nga  “Ushtria e Lirë Siriane”.  Kjo ngjarje merr jo pak rëndësi sepse Shërbimi Sekret i Forcave Ajrore është një nga agjensitë shtetërore që ngjall frikë dhe është përfshirë në shtypjen e protestave anti-qeveritare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA