SHBA dërgojnë trupa në Australi

16/11/2011 17:25

Australia ka rënë dakord për të pritur një grup të madh marinsash amerikanë në vitet e ardhshme.

Lajmin e bëri të ditur kryeministrja Julia Gillard në një konferencë për shtyp me presidentin amerikan Barack Obama, në Kanberra.

Gillard tha se rreth 250 marinsa do të mbërrijnë vitin e ardhshëm, ndërkohë që personeli që do të punojë në bazën e tyre do të arrijë në 2500.

Vendosja e ushtarëve shihet si një lëvizje kundër rritjes së influencës së Kinës në rajon. Por presidenti Obama tha se lëvizja e SHBA përfshin të gjithë Azinë e Paqësorit dhe jo vetëm Kinën.

“Mesazhi kryesor që kam thënë, jo vetëm publikisht por edhe privatisht me Kinën, është se me rritjen e saj rriten përgjegjësitë tona”, deklaroi Obama.

“Është e rëndësishme që ata të luajnë sipas rregullave të rrugës”, shtoi shefi i Shtëpisë së Bardhë gjatë konferencës për shtyp.

Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Liu Wimin, shtroi pyetjen nëse lëvizja në fjalë ruan zhvillimet e qeta në rajon.

“Ajo mund të mos jetë lëvizja e duhur për të intensifikuar dhe zgjeruar aleancat ushtarake dhe mund të mos jetë në interes të vendeve të rajonit”, tha zëdhënësi.

Ndërsa gazeta kineze “Global Time”, e kontrolluar nga Partia Komuniste, është treguar më luftarake në qëndrimin e saj.

Një editorial i publikuar në të paralajmëronte se, “nëse Australia përdor bazat e saj për të ndihmuar SHBA të dëmtojnë Kinën, atëherë vetë ajo do të ndodhet mes dy zjarreve”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA