SHBA, gjykata: Shpërndarja e protestës, e ligjshme

16/11/2011 15:40

Një gjykatë në Nju Jork vendosi mesditën e së mërkurës që shpërndarja me forcë e protestës së “Occupy” ishte e ligjshme.

Me qindra protestues u detyruan të largoheshin dhe disa prej tyre u arrestuan, kur forcat e rendit vepruan për liruar “Wall Street”-in. Shumë prej tyre u rikthyen për të protestuar të mërkurën, por nuk do të lejohen të ngrenë tenda apo të përdorin gjeneratorë në shesh.

Shpërndarja e demonstatës ngjalli një debat të madh në SHBA, sidomos pasi midis të arrestuarve, ishin edhe disa gazetarë.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Micheal Bloomberg, deklaroi se lëvizja e autoriteteve motivohej nga shqetësimi për sigurinë publike dhe për shkak të kushteve të këqija higjenike në tenda.

Me protestën e “Occupy” u solidarizuan në fillim të nëntorit lëvizje në shumë vende të botës. Demonstruesit luftojnë kundër monopolit të koorporatave të mëdha dhe kërkojnë më shumë punësim e shanse ekonomike.

Top Channel