Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka reaguar lidhur me lajmin se serbët e Kosovës nga pasiguria kanë filluar të kërkojnë pasaporta ruse në ambasadën e Rusisë në Beograd.
Ministri Rexhepi tha për Top Channel se të pasigurt në Kosovë mund të ndihen vetëm ata qytetarë të cilët kanë kryer vepra kriminale dhe tani ndiqen nga ligji. Ndërkaq, ai tha se zyrtarisht nuk e ka këtë informacion.
“Frikë kanë ata që kanë bërë krime, ndryshe nuk ka arsye. Ka njerëz të tjerë që janë të lidhur emocionalisht me Rusinë, por janë ata që kanë bërë krime që duan të sigurohen”, ka dekalruar Rexhepi.
Duke balancuar këtë informacion, ministri përmend shifra të tjera të komunitetit serb që pranon dokumentet e shtetësisë së Kosovës.
Përvec atyre civile, ministri bëri të ditur se serbët e Kosovës po i anashkalojnë targat “KS” edhe pse mandati i tyre ka vazhduar në bazë të konkluzioneve të arritura në Bruksel.
Në fakt, serbët duke qenë qytetarë të Republikës Kosovës, nuk kanë të drejtën të aplikojnë për pasaporta të një shteti tjetër, i cili nuk është Serbia.
Por kjo tregon edhe njëherë faktin që Rusia nuk e pranon shtetësinë e Kosovës dhe i hap dyert për serbët duke i konsideruar qytetarë të Serbisë.
Disa shoqata serbe nga veriu i Kosovës i kanë dërguar një letër ambasadës ruse në Beograd, përmes të cilës kanë kërkuar që mijëra serbëve të Kosovës t’u mundësohet marrja e shtetësisë ruse.
Top Channel