Berluskoni, një trashëgimi stili të bojatisur dhe borxhi. Epoka e “Kavaljerit” merr fund pas 17 vjetësh dominimi në politikën italiane.
75-vjecari dha dorëheqjen të shtunën pasi buxheti i ri, që imponon masa drastike anti-krizë për Italinë, mori miratimin e të dyja dhomave te parlamentit.
Manjati i zgjedhur tri herë kryeministër u zotua të mos kandidojë më nëse zgjedhjet e parakohëshme do të mbahen vërtet sic flitet në muajin shkurt.
“Deri tani vone, thotë CNN. Berluskoni bënte një jetë përrallash”. Perandoria e tij e gjerë e biznesit në media, ndërtim dhe futboll e ka shndërruar në personin e 118-të më të pasur të botës, sipas revistës Forbes, që e llogarit pasurinë neto të “Kavaljerit” në 6,2 miliardë dollarë këtë vit.
Berluskoni u kthye gjithashtu në kryeministrin Italian të pas-luftës që ka qëndruar më gjatë në post, por pastaj mbërritën telashet e ekspozimit të aferave seksuale, pagesa për marrëdhënie intime me një të mitur. Qeveria e tij e koalicionit erdhi në dobësim dhe kriza financiare e Europës kërcënoi të përfshinte në vorbullën e saj edhe Italinë. Por pavarësisht skandaleve të shumta që kanë mbuluar emrin e tij që kur i hyri politikës dy dekada më parë, 75 vjecari është një nga ata njerëz që del gjithmonë në sipërfaqe, thote CNN.
Shumë gjyqë janë hapur ndaj tij, e prapë asnjë nga akuzat e ngritura nuk u vërtetua kurrë. Në Parlament, kundërshtarët kanë paraqitur 51 mocione besimi ndaj tij vetëm gjatë tre viteve të fundit, dhe sërish, italianët e kanë zgjedhur tre herë në krye të ekzekutivit.
“The Guardian” e përshkruan sot si politikanin italian më me influencë që prej Musolinit, por edhe si njeriun që e dëmtoi shumë imazhin dhe perspektivat e vendit të tij.
Historia e përfshirjes së Berluskonit në jetën publike të Italisë është rrëfenja e premtimeve të pambajtura. Ai hyri në politikë me premtimin të transformonte dhe bashkonte të djathtën italiane, por po largohet në një kohë kur konservatorët atje janë më të përcare dhe demoralizuar se kurrë.
Top Channel