Policia e cila ka nisur hetimet për vjedhjen e një sasie parash në dhomën e provave në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Përvec marrjes në pyetje të personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen, policia ka konstatuar edhe gjurmë në zarfin ku mbaheshin paratë e vjedhura.
Sipas burimeve policore gjurmët e gjetura në zarf do të krahasohen me ato të personave që kanë patur akses për të hyrë në dhomën e provave, pasi zarfi mund të jetë prekur nga shumë persona, përfshi këtu prokurorët e cështjes që kanë mbledhur provat, anëtarët e trupit gjykues që i kanë administruar, e deri tek sekretaret dhe mirëmbajtësja e dhomës së provave.
Një fakt që vështirëson, të paktën për momentin identifikimin e autorit të vjedhjes, është fakti se grupi i hetimit di vetëm kohën kur u konstatua mungesa e parave në zarf, ndërsa nuk dihet se kur janë vjedhur lekët dhe sasia e eurove.
Aktualisht veprimet hetimore po zhvillohen nga policia e cila pas mbledhjes e krahasimit të provave apo gjurmëve të gjetura pritet ta dërgojë dosjen në prokurori.
Sakaq në Gjykatën e Krimeve të Rënda ende nuk ka asnjë masë administrative ndaj personave që kishin akses në dhomën e provave dhe pritet që vendimet ndaj tyre të merren nga grupi i inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë.
Top Channel