BE: Shqipëria, dështim me energjinë

06/11/2011 08:15

Shqipëria ka mbetur në vendnumëro përsa i përket zhvillimit në fushën e energjitikës, është vlerësimi i një raporti të Bashkimi Europian, i publikuar ditën e dielë në faqet e së përditshmes “Shqip”.

Problemet me fushën ku operon, mangësia me ligjet dhe ngecja e reformave janë cilësuar si disa prej problemeve kryesore në lidhje me shkaqet që kanë çuar në dështim të ambicieve të deritanishme të qeverisë përsa i përket energjitikës.

Siguria në furnizim

Raporti thekson se ka pak progres në sigurinë e furnizimit me energji. Megjithëse raporti vlerëson pozitivisht mbarimin e linjës së re të interkonjeksionit 400 kV me Malin e Zi në prill të këtij viti, përsëri furnizimi me energji elektrike mbetet një çështje delikate, si dhe e varur nga kushtet hidrologjike, për shkak të varësisë pothuajse ekskluzive të vendit nga prodhimi i hidrocentraleve.

Raporti thekson se duhen përpjekje shtesë për zbatimin e direktivave të BE-së në përputhje me detyrimet e Shqipërisë ndaj Traktatit të Energjisë. Ekspertët gjykojnë se gjykimet e dhëna në raport për këtë pjesë të sektorit janë të drejta, pasi vendi varet tërësisht nga prodhimi hidrik, ndërsa TEC-i i Vlorës, që u ndërtua me një kosto totale prej 130 milionë eurosh, nuk është vënë asnjëherë në punë.

Tregu i brendshëm

Raporti e vlerëson progresin në këtë sektor si të kufizuar. Janë bërë përpjekje për të ristrukturuar prodhimin e energjisë nga shteti, si dhe furnizuesin publik me shumicë të KESH-it. Autoriteti i Konkurrencës konstaton pengesë të konkurrencës, për shkak të mungesës së ndarjes efektive funksionale dhe financiare të FPSH dhe divizionit të prodhimit të KESH-it.

Ligji për sektorin e energjisë elektrike, i cili rregullon këtë sektor, së bashku me legjislacionin zbatues nuk është në përputhje me direktivat europiane. Një pjesë e rëndësishme e kapacitetit transmetues dhe shpërndarës është akoma i rezervuar për FPSH. Humbjet e shpërndarjes janë ulur pak, kurse niveli i arkëtimeve qëndron në nivelin e 77%.

Raporti thekson gjithashtu se kërkohen përpjekje energjike në këto fusha, si dhe modeli i tregut duhet që të përshtatet akoma, në mënyrë që të sigurojë jetëgjatësi për këtë sektor. Shqipëria nuk ka treg gazi dhe kuadri ligjor dytësor për ligjin e qershorit 2008 për sektorin e gazit natyror nuk është aprovuar akoma.

Kërkohen përpjekje shtesë për të fuqizuar monitorimin e ERE-s, si dhe pavarësinë e tij. “Tregu i energjisë elektrike ka probleme në liberalizimin e tij, për shkak se akoma nuk ka asnjë konsumator të vetëm që të jetë jashtë rrjetit të CEZ-it. Megjithatë, këtë muaj, METE ka deklaruar se ka gati ligjin e ri, i cili pritet që ta zgjidhë këtë çështje”, shprehet një nga ekspertët e portalit.

Energjia e rinovueshme

Raporti përqendrohet në faktin se nuk ka progres në fushën e energjive të rinovueshme. Kuadri ligjor dhe ai rregullator nuk janë në përputhje me direktivat europiane. Pengesat ekzistuese administrative, si dhe mungesa e rregullave për koston e lidhjes në rrjet, janë duke penguar integrimin e prodhuesve të rinj të energjive të rinovueshme.

Gjithashtu nuk është miratuar akoma një Plan Kombëtar Veprimesh për Energjitë e Rinovueshme, si dhe kërkohen përpjekje shtesë për të përmirësuar përdorimin e energjive të rinovueshme. Në raport flitet edhe për eficensën në energji, ku edhe këtu nuk është kryer progres. Qeveria ka aprovuar Planin Kombëtar të Veprimeve për Eficensën e Energjisë për periudhën 2011-2018, por nuk janë përcaktuar akoma kuadri ligjor dhe shpërndarja intrainstitucionale e përgjegjësive, thuhet në raport.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA