Votëbesimin e parlamentit grek dhe zhvillimin e një referendumi popullor për memorandumin e ri te ndihmës nga BE, ka kërkuar kryeministri Papandreu në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë socialiste, PASOK në mbrëmjen e së hënës.

Udhëheqësi grek ka shpjeguar se ka marrë këto vendime, për arsye të mosbesimit që është krijuar në radhët e deputetëve të partisë së tij, kritikës së parreshtur nga opozita dhe tensionit social që sa vjen e rritet në vend nga kriza ekonomike dhe vendimet e BE për Greqinë.

Vetëm duke thënë fjalën e tyre qytetarët, do të kemi një vendim solid për të ecur përpara, ka theksuar Papandreu, që ka paralajmëruar se zgjedhjet e parakohëshme parlamentare do të cojnë në falimentim të plotë të vendit.

Marrëveshja e BE për reduktimin e borxhit është shpëtim për Greqinë dhe jo falimentim, ka theksuar ai, por partitë opozitare dhe mediat e kanë keqinterpretuar atë si kthim dhjetë vjet pas.

Komente të shtypit grek në fundjavë kanë cilësuar marrëveshjen e samitit të BE, si një humbje të sovranitetit kombëtar të vendit, fakt që është vërtetuar edhe nga ministri gjerman i Financave Volfgang Schoible në një intervistë të tij të fundit.

Megjithëse ende nuk është përcaktuar pyetja e saktë në referendumin që thuhet se do të zhvillohet brenda disa javëve, Papandreu ka sqaruar se do të jetë një “po” ose një “jo” për të tjetërsuar vendimin e reduktimit të borxhit dhe paketës së re të ndihmës nga BE.

Vendimin për zhvillimin e një referendumi, që do të jetë i dytë në historinë greke të pasluftës pas atij të vitit 1974, duhet ta marrë parlamenti me të paktën 180 nga 300 deputetë, kur socialistët kanë vetëm 153 vende.

Si një shantazh ndaj qytetarëve e kanë quajtur vendimin e Papandreut partitë e vogla opozitare, ndërsa konservatorët kanë komentuar se ai është thjesht një vendim për të fituar kohë dhe kanë kërkuar përsëri zgjedhje të parakohëshme.
Megjithëse nga ana konstitucionale humbja e referendumit nuk con në rrëzimin e qeverisë, një  ‘Jo” e fuqishme e qytetarëve grekë do të pengonte qeverinë Papandreu që të aprovojë në mënyrë legjitime marrëveshjen e BE për reduktimin e borxhit dhe paketën e re të ndihmës.

Zhvillimet greke e italiane, bursat në pikiatë

Bursat europiane u mbyllën me humbje ditën e hënë, ndërsa pritet një rënie drastike të nesërmen, pasi Greqia vendosi në lojë aprovimin e planit të euros, duke shpallur një referendum.

Tregjet europiane pësuan mesatarisht humbje prej 3%, ndërsa bankat humbën një pjesë të mirë të kuotimit të shtuar pas miratimit të marrëveshjes së Eurozonës.

Nga ana tjetër, euro humbi 1,5% të vlerës së tij përballë dollarit dhe paundit. Përveç zhvillimeve greke, në qendër të shqetësimeve mbetet edhe aftësia e Romës zyrtare për të financuar borxhin e saj.

Analistët parashikojnë një goditje nga e cila Eurozona do ta ketë të vështirë të mbijetojë, nëse edhe ekonomia italiane do të kalojë në kolaps dhe do të ketë nevojë për kredi madhore për të shpëtuar.

Nga e gjithë kjo situatë, bankat e kontinentit janë më të ekspozuarat nga të gjitha problemet. Franca është shteti më i goditur, me “Societe Generale” që pësoi një rënie prej 9,8% dhe “BNP Paribas” që ra me 9,6%. Nga ana tjetër, në “pikiatë” edhe bankat gjermane dhe angleze. “Deutsche Bank”, “Commerzbank” dhe “Royal Bank of Scotland” ranë në kuotime me më shumë se tetë përqind.

Top Channel