Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews ka tentuar të shkojë drejt
pikëkalimit kufitar të Bërnjakut, por nuk ka mundur, pasi serbët nuk
kanë lejuar kalimin e EULEX-it.
Me komandantin e KFOR-it ishte edhe zëvendësshefi i EULEX-it, Andy Sparkes. Serbët, ishin të gatshëm të lejonin kalimin e KFOR-it, por jo edhe të EULEX-it.
Drews, sipas Telegraf, ka biseduar për rreth 15 minuta me nënkryetarin e komunës paralele të Zubin-Potokut, Srdan Durovic, në tentimin që të bindet popullata që pos KFOR-it të lejohet edhe kalimi i stafit të EULEX-it.
Durovic ka thënë se automjetin e EULEX-it nuk mund ta lejojnë të kalojë para se “ky mision të distancohet nga institucionet e Kosovës dhe të veprojë neutral”.
Lajmi se në drejtim të Zupçit është drejtuar edhe EULEX-i, ka bërë që serbët të mblidhen edhe te ura kryesore e Ibrit, në pjesën veriore të Mitrovicës.
Serbët sërish barrikada në Bërnjak
Në afërsi të vijës kufitare në Bërnjak serbët lokale ngriten serish një barrikadë prej druri. Mediat serbe raportojnë se, barrikadat u ngrit pasi KFOR-i ditën e premte largoi barrikadat e formuara nga kamionët e vendosur nga serbët.
Kjo është barrikada e parë e rivënë nga ana e serbëve lokale qe nga marrëveshja e arritur ndërmjet serbëve dhe përfaqësuesve të KFOR-it, për heqjen e barrikadave dhe lirimin e rrugëve për qarkullim. Megjithatë, bazuar në lajmet që transmetojnë mediat serbe, serbët e veriut ende po bëjnë thirrje që të gjitha barrikadat që ishin të vendosura në rrugët në veri duke përfshirë fshatin Jagnjenic, Leposavic dhe nëpër vendet të tjera të zëvendësohet me barrikada të tjera më të vogla.
Nderkohe, komandanti i KFOR-it, Erhard Drews kërkon liri të plotë të qarkullimit në veri dhe për këtë i referohet edhe Rezolutës 1244.“Pervecse nuk mund të qarkullojnë misionet ndërkombëtare, si EULEX-i, as KFOR-i nuk e ka lirinë e plotë të lëvizjes në barrikadat në veri dhe në akset tjera rrugore. Na është dhënë mundësia që t’i afrohem pikëkalimit kufitar, por përmes rrugëve anësore”, ka thënë Drews në një intervistë për “Vesti” te Serbise.
Kur është fjala te transportimi i doganierëve të Kosovës, Drews përkujton se këtë punë e bënë EULEX-i, përderisa KFOR-i është përgjegjës për siguri.
Top Channel