Liderët europianë kanë nisur një ditë bisedimesh që synojnë zgjidhjen e krizës së borxhit dhe mbajtjen e një recesioni tjetër sa më larg që të jetë e mundur.
Kryeministri britanik David Cameron iu bashkua 26 udhëheqësve të mbledhur në Bruksel në mesin e frikës se problemet greke mund të përhapen edhe në Itali e Spanjë. Ministrat e arritën të shtunën një marrëveshje mbi rikapitalizimin e bankave. Kancelarja gjermane Angela Merkel shprehu besimin se deri të mërkurën lideret e bllokut do të arrijnë të aktivizojnë një plan në mbrojtje të monedhës së përbashkët. Përpara takimit, që do të pasohet nga një samit i posaçëm i 17 anëtarëve të eurozonës këtë pasdite, kryeministri grek Jorgos Papandreu i kërkoi Europës të veprojë me vendosmëri dhe efikasitet për frenimin e telasheve.
“Është vërtetuar tashmë se kriza nuk është një krizë greke. Është një krizë europiane, ndaj tani është koha që ne si europianë të tregohemi të palëkundur”, u shpreh Papandreu.
Ndërsa përpjekjet për zgjidhjen e ngërçit të euros vazhdojnë, në të njëjtën masë shtohen edhe kritikat për aftësinë menaxhuese të situatës. Presidenti i eurogrupit, kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker, shprehu fuqishëm pakënaqësinë për kaosin në planifikim.
“Efekti i jashtëm është katastrofik. Ne nuk japim këtu shembullin e duhur të një udhëheqjeje shtetërore të nivelit të lartë dhe në të ardhmen do të na duhet të shohim se si do ta ndryshojmë sërish imazhin tone”, tha ai.
Franca dëshiron që fondi i shpëtimit të bëhet praktikisht një bankë. Ajo pastaj do të mund të huazonte para nga Banka Qendrore Evropiane. Por, sipas pikëpamjes gjermane kjo do të rriste rrezikun për taksapaguesit. Përveç kësaj Berlini i druhet një inflacioni të mundshëm. Mosmarrëveshjet me Francën sa i përket të ashtuquajturave “leva” të ombrellës së shpëtimit EFSF janë edhe arsyeja përse komisioni për buxhet i parlamentit gjerman nuk ka vendosur ende për këtë çështje.
Por Juncker është i zemëruar për faktin se tërë kohën po flitet pothuajse vetëm për dy vende.
“Përse mendohet se në fakt do të mjaftonte që të bien dakord Gjermania dhe Franca? Ne kemi të bëjmë me 17 qeveri, me 17 shtete, me 17 parlamente. Nuk ka vetëm në Gjermani dhe në Berlin një parlament, parlamente ka edhe diku tjetër”, shtoi Juncker.
Presioni ndaj krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve evropiane për gjetjen më në fund të një zgjidhjeje të përgjithshme është shumë i madh, nëse jo deri të dielën mbrëma, atëherë më së voni deri të mërkurën.
Top Channel