Aleanca Kuqezi: Censusi dështoi

22/10/2011 00:00

Aleanca Kuqezi deklaroi sot se censusi ishte vetëm një proces i kërkuar nga faktorë të caktuar ballkanikë për të sllavizuar një pjesë të Shqipërisë.

“Aleanca Kuqezi me degët e saj në Tiranë, Tetovë e Prishtinë, konstaton se censusi ishte një përpjekje e dështuar që donte të sillte sllavizimin e Shqipërisë së veriut dhe helenizimin e asaj të jugut me orientimet që kishte formulari”, deklaroi Ardian Leka, aktivist i lëvizjes.

Sipas Aleancës, procesi në fjalë mund të konsiderohet pa frikë i dështuar, pasi më shumë se gjysma e popullsisë nuk janë regjistruar.

“Rreth 65 për qind e popullsisë kanë refuzuar të regjistrohen. Gjithashtu, janë konstatuar raste kur formularët janë plotësuar nga një person për gjithë fisin, për gjithë pallatin, lagjen, etj. Procesi dështoi ashtu sic nisi i dështuar”, nënvizoi Leka.

Reagimi i Aleancës erdhi pas deklaratës së drejtoreshës së INSTAT, se procesi i regjistrimit do të vazhdojë derisa të regjistrohet e tërë popullsia.

Më herët gjatë muajit, në kuadër të lobimit të saj kundër censusit, aktivistët e Aleancës Kuqezi zhvilluan një paradë në Nju Jork, ku mori pjesë komuniteti shqiptar atje.

Ndërsa dy ditë më vonë, kryetari Kreshnik Spahiu zhvilloi takime më përfaqësues të Kongresit dhe Senatit, me të cilët diskutoi për cështjet shqiptare.

Ndërsa në fillim të muajit, grupi i aktivistëve deklaroi se kishte prova për abuzime të kryera gjatë procesit dhe shprehu shqetësimin e saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA