Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama ka njoftuar të premten se të gjitha trupat amerikane do të tërhiqen nga Iraku brenda fundit të vitit.
Presidenti urdhëroi një tërheqje të plotë nga vendi, pothuajse 9 vjet nga pushtimi i tij, që nisi nën drejtimin e administratës së George W. Bush.
Rreth 39 mijë trupa amerikane do të mbeten në Irak nga maksimumi prej 165 mijë trupash që u vendosën në vitin 2008.
“Shtetet e Bashkuara dhe Iraku kanë qenë plotësisht dakord për këtë lëvizje. Amerika po largohet nga Iraku me kokën lartë. Kështu do të përfundojnë përpjekjet e ushtarëve amerikanë në Irak”, deklaroi Obama.
Sipas Departamentit të Mbrojtjes, që prej marsit të vitit 2003, kur nisi dhe pushtimi, 4408 ushtarë amerikanë kanë humbur jetën në Irak.
Zoti Obama foli nga Shtëpia e Bardhë, pas një videokonference me kryeministrin iraken Nouri al Maliki, i cili kërkoi vazhdimin e asistencës dhe të partneritetit me SHBA.
Shtetet e Bashkuara shpallën fundin e misionit ushtarak në Irak në vitin 2010. Afati për tërheqjen e plotë brenda fundit të vitit 2011 u vendos gjatë presidencës së George W. Bush.
Gjithësesi, cështja e tërheqjes së plotë ka qenë subjekt i një debati të gjatë. Liderët irakenë kishin kërkuar që 5 mijë trupa të qëndronin për të stërvitur trupat lokale, por këto trupa nuk do të kishin imunitet nga përndjekja në bazë të ligjit iraken.
Pentagoni refuzoi ta pranonte këtë kusht dhe sekretari Leon Panetta deklaroi: “Ne mbrojmë dhe sigurojmë imunitetin e duhur për ushtarët tanë”.
Top Channel