Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka paralajmëruar faktorin ndërkombëtar se situata në veri të Kosovës mund të përshkallëzohet në cdo moment.

Për këtë arsye, GNK i ka kërkuar nga njëra anë Brukselit që të mos mbështesë opsionin e dhunës për zgjidhjen e problemeve dhe nga ana tjetër Beogradit që të dalë me plane konkrete.

“Ka nisur lufta e nervave dhe gara e durimit. KFOR-i mund t’i heqë barrikadat, por banorët serbë mund të ngrenë të tjera. Është e rëndësishme që kjo luftë të mbetet e qetë dhe të mos arrihet në një përshkallëzim tragjik, që mund të shkaktohet fare lehtë”, ka deklaruar drejtori për Ballkanin në GNK, Marko Prelec.

Sipas tij, do të ishte mirë që situata në veri të Kosovës të zgjidhet me marrëveshje, jo vetëm për barrikadat, por për të gjitha cështjet që shqetësojnë këtë zonë.

Prelec ka nënvizuar se përgjegjësinë për mos përkeqësimin e situatës e kanë të dyja palët dhe ka theksuar se rreziku për përhapjen e tensionit edhe në jug është real.

“Kur rriten tensionet mes serbëve dhe bashkësisë ndërkombëtare, rriten edhe tensionet në jug. Ka shumë pika që mund të shkaktojnë gjakderdhje”, ka shtuar Prelec.

Nata e kaluar në veri ka qenë e qetë, por e tensionuar. Në barrikadën në Jegenicë, ushtarët e KFOR-it dhe banorët serbë kanë qëndruar përballë njëri-tjetrit. 

Trupat ndërkombëtare kanë shtuar epërsinë e tyre duke marrë nën kontroll rrugën e Adriatikut, përfshirë këtu edhe fshatin Zupc. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA