Një ofensivë madhore turke është duke vazhduar në Irakun e veriut, një ditë pasi një sulm i përgjakshëm i militantëve kurdë shkaktoi vdekjen e 24 ushtarëve ditën e mërkurë.
Ankaraja zyrtare informoi se 22 batalione, me një forcë prej rreth 10 mijë ushtarësh, kanë kaluar kufirin iraken dhe po operojnë në brendësinë të territorit, për të shkatërruar bazat e agresorëve.
Trupat, midis të cilave forca paraushtarake dhe speciale, mbështeten fuqishëm nga ajri prej helikopterëve dhe aeroplanëve luftarakë. Pas humbjes më të madhe ushtarake në një ditë të vetme që prej vitit 1993, presidenti Abdullah Gyl premtoi një hakmarrje të tmerrshme.
Në një konferencë për shtyp, Kryeministri Recep Tayyip Erdogan, tha: “Ushtria është duke kryer një sulm të vendosur, të mbështetur nga ajri dhe armë të tjera të rënda”. Megjithatë, Erdogan nuk konfirmoi nëse është e vërtetë që 21 militantë janë vrarë deri tani.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO kanë lëshuar komunikata në të cilat shprehen në mbështetje të operacionit turk. Bagdadi zyrtar, nga ana e tij, nuk ka protestuar zyrtarisht për shkeljen e sovranitetit dhe nuk ka mbajtur ende asnjë qëndrim rreth sulmeve.
Kurdët, të cilët përbëjnë 1/6 e popullsisë turke, janë një popullsi e ndarë midis katër shteteve, Turqisë, Irakut, Iranit dhe Sirisë. Një grupim ekstremist i tyre kërkon formimin e një shteti të pavarur, duke organizuar sulme të vazhdueshme terroriste sidomos në Turqi. Disa dhjetëra mijëra njerëz kanë humbur jetën në konflikt, që prej vitit 1984.
Top Channel