Mes festimeve të shumta pas fitores së Vettel në Cmimin e Madh të Koresë së Jugut nuk u vu re aspak mungesa e një pjesëtari shumë të rëndësishëm të skuderisë Red Bull.
Në gëzimin e skuderisë për fitimin e titullit kampion bote për konstruktorë mungonte Adrian Newey, i cili ka filluar punën “i ngujuar” në shtëpinë e tij për dizenjimin e makinës për vitin tjetër.
“Përqendrimi tashmë është për sezonin e ardhshëm sepse kemi vetëm 4 muaj kohë për të ndërtuar një makinë krejtësisht të re. Për këtë arsye Newey nuk erdhi në Kore, por ka filluar punën për makinën RB8”, u shpreh shefi i Red Bull, Christian Horner.
Lind pyetja: A mund të përmirësojë Newey edhe më shumë një makinë që ka dominuar plotësisht këtë sezon të Fomulës 1?
Mësohet se gjeniu i aerodinamikës nuk do të fillojë punën nga zero sepse rregullorja e Formulës 1 nuk do të pësojë ndryshime të mëdha në sezonin e ardhshëm. Vetë Newey shprehet: “Mund të them vetëm që do të habiteni nga makina e re RB8.”
Top Channel