“Greqia ndodhet në një udhëkryq, por edhe kur gjen rrugëdalje, bën dy hapa para dhe një pas”. Kështu vlerësojnë specialistët e trojkës, që prej disa ditësh ndodhen në Athinë për të bërë vlerësimin e zbatimit të reformave dhe masave anti-krizë, në mënyrë që të aprovojnë ose jo, këstin e gjashtë të ndihmës ndaj Greqisë.
Duke paralajmëruar se masat e planit të shpëtimit mund të deshtojnë nëse nuk zbatohen reformat strukturore, ata i vënë theksin jo vetëm formulimit të ligjeve, por edhe zbatimit të tyre që merr mjaft kohë, ndërsa shpesherë nuk ekzistojnë strukturat e nevojshme, sidomos në vjeljen e taksave apo detyrimeve financiare të prapambetura.
Shembulli më i qartë është skandal i ri me pensionet false të Entit të Sigurimeve Shoqërore (IKA), ku shteti ka humbur mbi 15 miliard euro në dhjetëvjecarin e fundit.
Pas përfundimit të regjistrimit të të gjithë pensionistëve, është rezultuar se 109 000 vetë nuk ekzistojnë, ndërsa pensionet i përfitonin të afërmit e tyre dhe ende nuk dihet se si do të procedohet për kthimin e shumave të dhëna.
Në këtë kuadër, ende pa përgjigjje është dhe fakti se si do të veprohet me depozitat e grekëve në Zvicër, ku konsiderohet se ndodhen mbi 20 miliard euro kapitale të padeklaruara tek organi i tatimtaksave.
Shteti nuk ka krijuar akoma një nomenklaturë përkatëse për t’u marrë këtyre personave që kanë kryer në thelb evazion fiskal, tatimin përkatës, për arsye se depozitat në shumicën e rasteve nuk janë me emrat e tyre, por të kompanive off-shore. Mediat vendase shkruajnë se ata që po paguajnë realisht krizën janë rrogëtarët dhe pensionistët.
Gazeta “Ethnos”, e së dielës e ka quajtur si, “Natën e Shën Bartolomeut”, atë të së enjtes së kaluar, kur në parlamentin grek u paraqit projektligji i ri për reduktimin e rrogave, pensioneve dhe shkallës së tatimit mbi të ardhurat, sipas të cilit familjet greke humbasin 5.5 miliard euro.
Brenda një viti e gjysmë në kuadrin e masave financiare, qytetarët grekë kanë paguar me reduktimet e të ardhurave dhe taksat e reja mbi 31 miliard euro.
Top Channel