Jemen, presidenti Saleh shpall dorëheqjen

08/10/2011 17:40

Presidenti i Jemenit, Ali Abdullah Saleh, informoi se do të japë dorëheqjen nga çdo funksion, brenda pak ditëve të ardhshme.

Një akt i përfolur prej kohësh, dorëheqja vjen pak ditë pas rikthimit të papritur të presidentit në Jemen prej Arabisë Saudite, ku u trajtua për disa javë për plagët e marra gjatë goditjes së zyrës së tij me artileri.

Saleh i është dashur të përballet seriozisht me protesta masive dhe një lëvizje separatiste në veriun e vendit. Më parë, presidenti hodhi poshtë një plan të vendeve të tjera të Gjirit Persik, që do t’i jepte imunitet nga hetimi në lidhje me vrasjet e kryera gjatë trazirave, me kusht dorëzimin e pushtetit tek zëvendëspresidenti.

Pa saktësuar një datë, Saleh, në pushtet prej 32 vitesh, u shfaq në një fjalim televiziv, në të cilin tha: “Kam qëndruar në krye të funksioneve shtetërore për një kohë të gjatë, por asnjëherë sepse kam qenë i etur për pushtet. Për këtë arsye, brenda pak ditëve të ardhshme do të largohem nga çdo detyrë. Ka njerëz të sinqertë dhe të aftë, qoftë nga shoqëria civile ose nga ushtria, të cilët mund të marrin përsipër postin e presidentit”.

Protestat anti-qeveritare kanë shpërthyer në kryeqytetin Sana’a që prej muajit janar, kur Jemeni, vendi më i varfër në botën arabe u përfshi edhe ai në zinxhirin e “Pranverës Arabe”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA