Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian nëse më parë nuk rregullon marrëdhëniet e saj me vendet fqinje.

Mesazhi i radhës drejtuar Beogradit ka ardhur nga ministri francez për Cështjet Evropiane, Jean Leonetti, në prag të vizitës në Kroaci dhe Serbi.

“Gjatë vizitës sime do t’i përcjell Serbisë mesazhin se Bashkimi Evropian nuk mund të pranojë në radhët e tij një shtet që ka konflikte me fqinjët dhe që nuk pajtohet me ta”, ka deklaruar Leonetti.

Polonia: Kosova, kusht për Serbinë në BE

Zërave evropianë se Kosova është një parakusht bazë për integrimin e Serbisë në BE iu shtua pak ditë më parë edhe Polonia.

Ambasadori polak në Beograd, Andrzej Jasionowski deklaroi se normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës është thelbësor.

“Deri në një marrëveshje të plotë, autoritetet në Serbi duhet të bashkëpunojnë me EULEX-in dhe KF0R-in dhe jo të ngrenë pengesa”, deklaroi Jasionowski.

Ai nënvizoi se koncepti i BE-së nënkupton që vendet anëtare të sigurojnë paqe dhe stabilitet.

Gjermania: Serbia të normalizojë raportet me fqinjët

Ndërsa në fund të shtatorit një apel analog erdhi nga Gjermania, përmes sekretarit shtetëror në Ministrinë e Jashtme.

“Serbia duhet të rregullojë raportet me fqinjët e saj, jo vetëm për fillimin e negociatave të anëtarësimit, por edhe për të marrë statusin e vendit kandidat”, deklaroi Werner Hoyer.

Ai tha se, Serbia duhet të shprehë qartë qëndrimin e saj përsa i përket bisedimeve me Kosovën dhe po ashtu edhe përsa i përket situatës në veri të shtetit të ri.

“Jemi shumë të interesuar për marrëdhënie konstruktive me Serbinë, por na duhet një progres i rëndësishëm”, theksoi Hoyer gjatë një seance në Bundestag.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA