Gjermania i ka bërë thirrje Serbisë që të normalizojë marrëdhëniet e saj
me vendet fqinje nëse dëshiron të marrë statusin e vendit kandidat për
në BE.

“Serbia duhet të rregullojë raportet me fqinjët e saj, jo vetëm për fillimin e negociatave të anëtarësimit, por edhe për të marrë statusin e vendit kandidat”, ka deklaruar sekretari shtetëror në Ministrinë e Jashtme gjermane, Werner Hoyer.

Sipas tij, Serbia duhet të shprehë qartë qëndrimin e saj përsa i përket bisedimeve me Kosovën dhe po ashtu edhe përsa i përket situatës në veri të shtetit të ri.

“Jemi shumë të interesuar për marrëdhënie konstruktive me Serbinë, por na duhet një progres i rëndësishëm”, ka nënvizuar Hoyer gjatë një seance në Bundestag.

Zyrtari gjerman është shprehur më tej se aktualisht është herët të vendoset për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Serbinë, duke shtuar se qeveria e Berlinit do të dalë më vonë me një qëndrim të saktë lidhur me këtë cështje.

Në fillim të muajit kancelarja gjermane Angela Merkel shfryu entuziazmin e Beogradit për anëtarësimin, pasi tha pa rezerva se, Serbia duhet të pranojë realitetin e ri në Kosovë para se të anëtarësohet në BE.

Gjithashtu, Merkel kërkoi nga qeveria serbe që të shkrijë sa më shpejt strukturat e saj paralele në veri të Kosovës, të cilat u bënë protagoniste të akteve të dhunës pas operacionit të forcave speciale kosovare më 25 korrik. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA